30 persona kanë rënë në prangat e policisë gjatë fundjavës, pasi kanë ndërtuar objekte pa leje, kanë vjedhur energji elektrike apo kanë shkelur moratoriumin e pyjeve.

Siç bën të ditur policia e Shtetit, rastet janë konstatuar gjatë kontrolleve për paligjshmërinë, në të gjithë vendin.

Konkretisht, në drejtim të parandalimit dhe goditjes së vjedhjes së energjisë elektrike  në të gjithë vendin kanë vepruar në terren 75 grupe të përbashkëta POLICI-OSHEE ku janë kryer 2.954 kontrolle në terren.

Gjatë kontrolleve u evidentuan 31  raste të vjedhjes së energjisë elektrike, me 31 autorë. Nga këta, 19 autorë  janë arrestuar në flagrancë, 5 autorë  janë shpallur në kërkim dhe 7 autorë ndiqen në gjendje të lirë.

Në fushën e ndërtimeve të paligjshme, janë evidentuar 24 raste të ndërtimeve pa leje. Për këto raste janë evidentuar dhe proceduar 24 autorë nga të cilët, 6 autorë janë arrestuar në flagrancë, 16  autorë ndiqen në gjendje të lirë dhe 2 autorë janë shpallur në kërkim.

Në kuadër të masave për parandalimin e prerjeve të paligjshme të pyjeve,  në të gjithë vendin ka nisur operacioni "Roja e Gjelbër",  gjatë kësaj periudhe në të gjithë vendin janë evidentuar 11 raste me 11 autorë,  nga të cilët 4 jane  arrestuar në flagrancë dhe 5 ndiqen në gjendje të lirë dhe 2 janë shpallur në kërkim.

Ndërsa në fushën e organizimit të lotarive të palejuara , Policia e Shtetit  ka evidentuar 6 raste me 6 autorë, nga këta 1 autor është arrestuar në flagrancë dhe 5 të tjerë ndiqen në gjendje të lirë.

Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)