Anila Aliaj, specialiste kredie pranë një filiali banke në zonën e Kamzës, është marrë e pandehur dhe dërguar në gjykatë, pasi ka rezultuar se gjatë ushtrimit të detyrës së saj, ajo ka vjedhur klientët. Ndaj Aliaj, prokuroria ka ngritur akuzën e Vjedhja e bankes, Pastrimi i produkteve te vepres penale, Falsifikimi i dokumentave nga personi qe ka per detyre leshimin e tyre. 

Rasti u zbulua pas një debati mes Rabije dhe Kujtim Toblit, në një emision televiziv,pasi martesa e tyre rrezikohej të prishej për shkak të një kredie shumë të dyshimtë që kishte marrë shtetësja Rabije Tobli,në filialin e bankës në Kamëz.

Rabije Tobli, bëri të ditur se ishte mashtruar nga specialistja e kredisë Anila Aliaj. Fill pas kësaj, auditi i bankës ka bërë një kontroll të imtësishëm, ku ka zbuluar një mungesë prej 200 mijë euro, duke konfirmuar se Aliaj kishte abuzuar dhe në shumë raste të tjera.Sipas hetimit të Prokurorisë, shtetasja Anila Aliaj, me detyrë specialiste krediti, nëpërmjet veprimeve të kundërligjshme, ka arritur të mashtrojë një numër të madh klientësh, duke u marrë atyre shuma të konsiderueshme parash nga llogaritë bankare ose duke u hapur, pa dijeninë e shtetasve llogari kredie, të cilat më pas i tërhiqte vetë.

Prokuroria e Tiranës e ka nisur hetimin, bazuar në kallëzimin e dorëzuar nga drejtuesit e bankës ku ushtronte funksionet shtetasja Anila Aliaj, pas shqetësimeve që shumë klientë kishin paraqitur. Pas hetimeve paraprake, prokuroria e akuzon shtetasen Anila Aliaj për katër akuza.