GJKKO la në burg 31-vjeçarin Juxhin Koka, i cili dy ditë më parë u ekstradua nga Spanja pasi SPAK e akuzon se ka korruptuar punonjësit e policisë dhe ka vjedhur bashkë me persona të tjerë 200 mijë litra naftë nga një anije që ishte ankoruar në portin e Durrësit në muajin janar.
Në seancën me dyer të mbyllura, Koka nuk ka pranuar akuzën ndërsa mbrojtja e tij pretendoi se Koka nuk ka lidhje me vjedhjen e naftës.
Ndaj tij, në shkurt, GJKKO i caktoi 'arrest në burg' për tre akuza: Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike, kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë ose me pezullim të plotë apo të pjesshëm nga detyrimet doganore ose të akcizës dhe vjedhje kryer në bashkëpunim.
Më 13 tetor, SPAK mbylli hetimet dhe dërgoi për gjykim Juxhin Kokën dhe 10 të tjerë. Sipas organit të akuzës, Juxhin Koka, në bashkëpunim me Mohammad Sallit, me detyrë kapiten i anijes, Nedio Mejdani, me detyrë oficer i parë i anijes, dhe Hasan Broud, Sami Shanata, Faez Ismaeil, Ëissam Rostom, marinarë të anijes me flamur tunizian realizuan të gjithë veprimtarinë kriminale.
Nga hetimet rezultoi se Juxhin Koka dhe Drilon Malluta i ofruan 10.000 euro policit Armand Marvataj, që kishte për detyrë të ruante anijen e sekuestruar në Porto Romano, me qëllim që të lejonte nxjerrjen e sasisë së naftës së sekuestruar nga anija. Shuma e parave që polici kishte marrë ryshfet, u gjet dhe sekuestrua në banesën e Marvataj.
Nafta kontrabandë u nxorr nga anija më datë 27 janar 2025, në bashkëpunim me ekuipazhin e anijes, Samir Bayoumy me detyrë inxhinier i tretë dhe përgjegjës teknik i anijes, marinarët, Hasan Broud, Sami Shanata, Faez Ismaeil, Ëissam Rostom dhe Abdoulmohaimen Shanata.
Njoftimi i policisë për ekstradimin e Juxhin Kokës:
Interpol Tirana/Vijon operacioni policor ndërkombëtar, i koduar “The Ëanted”.
Akuzohet nga SPAK, se në muajin shkurt, 2025, korruptoi punonjësit e Policisë dhe vodhi, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, 200 000 litra naftë nga një anije e ankoruar në portin e Durrësit, ekstradohet nga Spanja, 31-vjeçari.
Si rezultat i koordinimit të veprimeve operacionale, ndërmjet specialistëve të Interpol Tiranës dhe homologëve të Interpol Madridit, u finalizua në kuadër të operacionit “The Ëanted”, procedura për ekstradimin nga Spanja, në Shqipëri, të shtetasit shqiptar, të shpallur në kërkim ndërkombëtar, J. K., 31 vjeç.
Në muajin shkurt, 2025, GjKKO i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë ose me pezullim të plotë apo të pjesshëm nga detyrimet doganore ose të akcizës” dhe “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim.
Komente










