Në palestrën e Pallatit të Sportit 'Farka' u zhvillua të premten finalja e Kupës së Shqipërisë në volejboll për meshkuj, ku derbi i kryeqytetit mes Tiranës dhe Partizanit dhuroi një sfidë emocionuese.

Pas një ndeshjeje që zgjati 2 orë e 19 minuta, bardheblutë triumfuan me rezultatin 3-1 në sete, duke fituar kështu trofeun e 10-të të Kupës së Shqipërisë në historinë e klubit. Partizani, i drejtuar nga trajneri Ylli Tomorri, vinte në këtë finale si kampioni në fuqi dhe fitues i fundit i Ligës mbarëkombëtare “Gjergj Kastrioti”.

Tirana e nisi më mirë takimin duke fituar setin e parë 25-22. Të kuqtë reaguan në setin e dytë, ku arritën të barazonin shifrat pas fitores 25-21. Megjithatë, skuadra bardheblu e drejtuar nga Arben Sako riktheu epërsinë në setin e tretë, duke triumfuar 25-20.

Seti i katërt ishte sërish i luftuar, me Partizanin që tentoi ta çonte finalen në set vendimtar. Por Tirana ruajti qetësinë në momentet kyçe dhe e mbylli setin 25-22, duke vulosur suksesin 3-1 dhe duke ngritur trofeun.