Presidenti francez, Emmanuel Macron ka mbajtur fjalimin e tij në Forumin Ekonomik të Davosit. Macron i cilësoi si të papranueshme tarifat doganore të presidentit amerikan, Donald Trump, ndaj vendeve të cilat kanë dërguar trupa ushtarake në Groenlandë.

“Franca dhe Evropa i kushtojnë rëndësi të madhe sovranitetit dhe pavarësisë si dhe rregullave të së drejtës ndërkombëtare. Kjo është arsyeja pse kemi vendosur të vendosim forcat tona në Grenlandë”, theksoi ai.

Nga Davosi, presidentja e Komisionit Europian. Ursula von der Leyen tha se nevoja për pavarësinë e Evropës “nuk është e re dhe as një reagim ndaj ngjarjeve të fundit: ajo është një imperativ strukturor prej shumë kohësh”, theksoi ajo, duke shtuar se, ndryshe nga e kaluara, “sot ekziston një konsensus i vërtetë për këtë”.

I ashpër ishte komenti mbi përshkallëzimin e Donald Trumpit kundër Francës, të cilës i ka kërcënuar vendosjen e tarifave doganore prej 200 për qind për verërat dhe shampanjën franceze, si formë hakmarrjeje për mosmarrëveshjen mbi Groenlandën. “Tarifat doganore shtesë të propozuara” nga presidenti amerikan “janë një gabim, sidomos mes aleatëve afatgjatë. BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara kanë arritur një marrëveshje tregtare korrikun e kaluar. Dhe në politikë, ashtu si në biznes, një marrëveshje është një marrëveshje. Dhe kur miqtë shtrëngojnë duart, kjo duhet të nënkuptojë diçka”,- tha Von der Leyen.

Groenlanda, “I takon popullit sovran të vendosë për të ardhmen e vet”

“Ne e konsiderojmë popullin e SHBA-së jo vetëm si aleatë, por si miq. Të tërhiqemi në një spirale të rrezikshme zbritëse do të përfundonte duke ndihmuar pikërisht ata kundërshtarë që të dy jemi të angazhuar t’i mbajmë jashtë horizontit tonë strategjik”, përsëriti ajo. “Prandaj përgjigjja jonë do të jetë e vendosur, e bashkuar dhe proporcionale”. Për ta trajtuar çështjen me një qasje “strategjike”, BE-ja po punon për një paketë masash në mbështetje të sigurisë në Arktik, me bindjen se “i takon popullit sovran të vendosë për të ardhmen e vet”.

Ky parim themelor shpaloset në disa koncepte: së pari, solidaritet i plotë me Groenlandën dhe Mbretërinë e Danimarkës, “sovraniteti dhe integriteti i territorit të tyre nuk janë të negociueshme”; së dyti, Evropa synon të rrisë ndjeshëm investimet e veta në ishull, “për të mbështetur ekonominë dhe infrastrukturat lokale”; së treti, “do të bashkëpunojmë me Shtetet e Bashkuara dhe të gjithë partnerët për të garantuar një siguri më të madhe në Arktik”, sot një interes i qartë i përbashkët; dhe së katërti, “duhet të bashkëpunojmë me të gjithë partnerët tanë rajonalë për të forcuar sigurinë tonë të përbashkët”.

Von der Leyen përmend partneritetet me Mbretërinë e Bashkuar, Kanadanë, Norvegjinë dhe Islandën, duke sqaruar se Evropa po përgatit strategjinë e saj të sigurisë, e cila synon të publikohet deri në fund të vitit.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:46
Presidenti i Lituanisë: Të ketë marrëveshje BE-SHBA mbi sigurinë në Arktik, t'i jepet fund tensioneve për Groenlandën

1768935052_nauseda.JPG

Presidenti i Lituanisë, Gitanas Nauseda deklaroi se një marrëveshje mbi ndarjen e përgjegjësisë për sigurinë e Arktikut dhe Atlantikut të Veriut mund të ofrojë një rrugëdalje nga ngërçi midis Shteteve të Bashkuara dhe Evropës për çështjen e Groenlandës.

Nauseda i tha Reuters se debati për Groenlandën po e zhvendos vëmendjen nga lufta në Ukrainë dhe po i shërbente Rusisë. Nauseda i kërkoi Uashingtonit të ulte tensionet.

“ Rezultati më i mirë do të ishte thjesht të biem dakord për përgjegjësinë e përbashkët për sigurinë e rajonit të Arktikut dhe rajonit të Atlantikut të Veriut. A është e mundur të arrihet kjo? Ne duhet të bëjmë çmos për të ecur në këtë rrugë, sepse kjo është rruga më e mirë”, tha ai.

Ora 18:35
Trump: Asnjë president nuk ka bërë më shumë se unë për NATO-n, pa mua do ishte kthyer në hirin e historisë

1768930711_donaldtrump.JPG

Presidenti amerikan, Donald Trump thotë se askush nuk ka bërë më shumë se ai për NATO-n.

Përmes një postimi në Truth Social, Trump u shpreh se nëse ai nuk do të ishte president, NATO nuk do të ekzistonte, por do të ishte në hirin e historisë.

“Asnjë person i vetëm, apo President, nuk ka bërë më shumë për NATO-n sesa Presidenti Donald J. Trump. Nëse unë nuk do të kisha ardhur, nuk do të kishte NATO tani!!! Do të kishte qenë në hirin e historisë. E trishtueshme, por e vërtetë!!!”, shkruan Trump.

Ora 15:58
Macron në Forumin Ekonomik të Davosit: Tarifat doganore të Trump të papranueshme, po përdoren si mjet për të bërë presion për çështjen e Groenlandës

1768921729_emmanuelmacron.JPG

Presidenti francez, Emmanuel Macron ka mbajtur fjalimin e tij në Forumin Ekonomik të Davosit.

Macron i cilësoi si të papranueshme tarifat doganore të presidentit amerikan, Donald Trump, ndaj vendeve të cilat kanë dërguar trupa ushtarake në Groenlandë.

Sipas Macron, tarifat doganore po përdoren nga Trump si një mjet për të bërë presion, teka shtoi se Evropa i kushton rëndësi të madhe sovranitetit dhe rregullave ndërkombëtare, shkruan La Stampa.

“Franca dhe Evropa i kushtojnë rëndësi të madhe sovranitetit dhe pavarësisë si dhe rregullave të së drejtës ndërkombëtare. Kjo është arsyeja pse kemi vendosur të vendosim forcat tona në Grenlandë”, theksoi ai.

Ndër të tjera, Macron tha se bota po hyn në një periudhë paqëndrueshmërie dhe ku ligjin e bën më i forti.

 “Bota po anon drejt autokracisë; në vitin 2024, ka pasur mbi gjashtëdhjetë luftëra, megjithëse më është thënë se disa janë zgjidhur”, tha Macron me ironi, duke iu referuar pretendimit të Trump se ka mbyllur disa konflikte.

Presidenti amerikan, Donald Trump ka deklaruar se mund të vendosë tarifa doganore ndaj vendeve që nuk mbështesin planet e tij për të marrë nën kontroll Grenlandën, pjesë e territorit të shtetit të NATO-s, Danimarkës.

Trump e krahasoi mundësinë e vendosjes së tarifave doganore me ato që kishte kërcënuar vitin e kaluar se do t’i vendoste ndaj Francës dhe Gjermanisë për shkak të çmimeve të produkteve farmaceutike.

Udhëheqësi amerikan po intensifikon përpjekjet për të marrë nën kontroll ishullin autonom arktik.

Trump argumenton se Shtetet e Bashkuara kanë nevojë për Groenlandën e pasur me minerale dhe e ka akuzuar Danimarkën se nuk po bën mjaftueshëm për të garantuar sigurinë e saj kundër rivalëve të SHBA-së, Rusisë dhe Kinës.

Vendet evropiane, që janë anëtare të NATO-s, ditëve të fundit kanë shprehur mbështetjen e tyre për Danimarkën dhe Groenlandën, pas kërcënimeve në rritje nga Trumpi, përfshirë edhe duke dërguar trupa në këtë territor strategjik.

Ora 14:40
'Jetojmë në kohën e përbindëshave'! Kryeministri Belg paralajmëron Trump: Tërhiqu ose marrëdhëniet SHBA-Europë do të marrin fund!

Kryeministri i Belgjikës, Bart De Wever, ka bërë një paralajmërim të fortë ndaj Shteteve të Bashkuara, duke deklaruar se presidenti Donald Trump po “kalon vijat e kuqe” dhe se marrëdhëniet tradicionale mes Europës dhe SHBA-ve rrezikojnë të hyjnë në fundin e tyre historik.

“Deri tani, ne u përpoqëm të qetësonim presidentin e ri në Shtëpinë e Bardhë. Ishim shumë tolerantë, edhe me tarifat doganore. Ishim tolerantë me shpresën se do të merrnim mbështetje për luftën në Ukrainë”, u shpreh kryeministri belg.

Ai theksoi se situata ka ndryshuar ndjeshëm, duke shtuar se po kapërcehen gjithnjë e më shumë kufij që, sipas tij, cenojnë dinjitetin politik të Europës.“Tani po kalohen kaq shumë vija të kuqe, sa duhet të zgjedhësh mes dinjitetit tënd. Të jesh një vasal i kënaqur është një gjë. Të jesh një skllav i mjerë është diçka tjetër”, deklaroi De Wever.

“Mesazhi që duhet të dërgojmë është ky: po kaloni vijat e kuqe. Ose qëndrojmë bashkë, ose do të qëndrojmë të ndarë. Dhe nëse jemi të ndarë, atëherë është fundi i një epoke, fundi i 80 viteve atlantizëm”, u shpreh kryeministri belg.

De Wever iu referua filozofit Antonio Gramsci, duke paralajmëruar për një periudhë pasigurie globale.

“Kur e vjetra po vdes dhe e reja ende nuk ka lindur, jetojmë në kohën e përbindëshave. I takon atij të vendosë nëse do të jetë një përbindësh apo jo”, tha ai.