Bashkimi Evropian ka arritur në kuotën e 100 milionë vaksinimeve kundër koronavirusit, në një kohë që kontinenti ka tejkaluar numrin e një million të të infektuarve dhe është përfshirë nga akuza të shumta për proces të ngadaltë.
Lajmin e ka bërë të ditur Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila me anë të një postimi në rrjete sociale shkruan se ky është një moment historik për të gjithë Bashkimin Evropian.
“Ashtë një moment historik për të cilin mund të krenohemi. BE përshpejton ritmin e furnizimeve të vaksinave. Ne po bëjmë çdo përpjekje për të siguruar që evropianët të mund të vaksinohen sa më shpejt të jetë e mundur,” tha Von der Leyen.
Komisioni Evropian ndërkohë ka njoftuar se ka siguruar një sasi shtesë prej 50 milionë dozave të Pfizer Biontech, që do të shpërndahen nga prilli deri në fund të qershorit.
Këto nuk janë sasi të reja por sasi të rëna dakord më parë, dorëzimi i të cilave është shtyrë
Ursula von der Leyen tha se dërgesat do të çojnë furnizimet totale në BE nga Pfizer në 250 milion doza në tremujorin e dytë të këtij viti. Dorëzimi do të shpërndahet në 27 vendet e BE-së sipas përqindjes së popullsisë, shtoi ajo.
Ajo gjithashtu konfirmoi se Komisioni ishte në bisedime me dy kompanitë për një kontratë të re për 1.8 miliardë doza që do të dorëzohen në 2022 dhe 2023.
BE ka nënshkruar tashmë dy kontrata me Pfizer dhe BionTech për një total prej 600 milion dozash që do të dorëzohen këtë vit.