
Foto: Ursula von der Leyen
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen pas takimit me presidentin Volodymyr Zelensky shkroi në rrjetet sociale se Rusia po tallet me diplomacinë dhe përshkallëzon sulmet, duke pretenduar se kërkon paqe.
“Ndërsa Ukraina angazhohet në përpjekje të vërteta diplomatike për paqe, Rusia vazhdon të mashtrojë dhe të pengojë. Ajo tallet me diplomacinë dhe përshkallëzon sulmet, duke pretenduar se kërkon paqe. Sot, kjo fasadë mbetet fort në vend. Por ne nuk do të biem pre e saj; ne e dimë kush është agresori dhe kush është viktima në këtë luftë”, shkroi Presidentja e Komisionit Ursula von der Leyen në X .
Ursula von der Leyen, deklaroi se propozimi për përdorimin e aseteve ruse të ngrira, përmes një kredie kompensuese për Ukrainën, është “i ndërlikuar”, por do të rrisë koston e luftës për Moskën.
“Sa më shumë që Putini vazhdon luftën e tij, derdh gjak, merr jetë njerëzish dhe shkatërron infrastrukturën ukrainase, aq më i lartë do të jetë çmimi për Rusinë,” deklaroi presidentja e Komisionit.
Ajo shtoi gjithashtu se lufta brutale e Rusisë kërkoi të na ndante (BE), por arriti efektin e kundërt.
“Lidhjet tona janë më të forta se kurrë. Ne nuk jemi të lidhur vetëm nga interesat mbrojtëse, por edhe nga vlerat tona të përbashkëta. Dhe kështu do të vazhdojmë. Të bashkuar, në mbështetjen e Ukrainës dhe në mbrojtjen e Evropës.”
Lajmi kryesor:
Moska: Është koha që BE-ja të dëgjojë Trump! Von der Leyen: Përpjekje të sinqerta nga Kievi për negociata! Pas vizitës në Londër, Zelensky nesër në Itali









