TIRANE- Sipas përfaqësuesit të Shoqatës “Pronësi me Drejtësi” Myrshit Vorbsi, shteti shqiptar ka pasur që në vitin 2007 të qartë faturën financiare për kompensimin e pronarëve, e cila nuk është bërë me vetëdije publike për shkak të detyrimeve që do lindnin me pranimin e saj.

Në një intervistë për “Shqiptarja.com” Vorbsi sjell në vëmendje një korrespondencë të Avokaturës së Shtetit me AKKP, përmes së cilës kjo e fundit pranon se detyrimi i shtetit ndaj pronarëve është 6489 hektarë truall dhe më shumë se 50 mijë hektarë tokë bujqësore. Sipas Vorbsit, procesi i kthim-kompensimit të pronarëve është ende larg zgjidhjes, veçanërisht me fondin e ri të vënë në dispozicion nga qeveria për kompensimin e pronarëve në një kohë që kompensimi financiar i përvitshëm prej 300 milionë lekësh është thjesht qesharak.