TIRANË - Partia Demokratike ka akuzuar qeverinë se, ka mbajtur të fshehtë lajmin e integrimit të plotë të Shqipërisë në NATO. Gjatë një deklaratë për median, zëdhënësja Laura Vorpsi, tha se, “Partia Demokratike përgëzon Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë për përfundimin me sukses të integrimit të plotë të Shqipërisë në NATO, me certifikimin që u bë në Konferencën e Fundit të Integrimit të drejtuar nga Komanda e NATO-s për Transformimin, 6 ditë më parë”.

Sipas Vorpsit, “ky lajm është lajmi i dytë i madh që Shqipëria merr pas rekomandimit të Komisionit Europian për marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian”.  

Zëdhënësja e PD-së, deklaroi se, qeveria shqiptare e fshehu këtë lajm, në mënyrë të turpshme për gati një javë. “Përpjekja e qeverisë për ta mbuluar këtë sukses të Shqipërisë, është një betejë donkishoteske, siç ishin edhe deklaratat e Kryeministrit në Bruksel; se ai do ta çonte Shqipërinë në NATO”, tha Vorpsi. 

Sipas saj, qeveria shqiptare vazhdon të ketë probleme me arritjet dhe me integrimin e Shqipërisë, veçanërisht kur këto vijnë si rezultat i punës dhe reformave të kryera nga qeverisja e Partisë Demokratike.

“Shqipëria tashmë nuk është vetëm një vend anëtar i NATO-s, por një vend plotësisht i integruar në Aleancën e Traktatit të Atlantikut të Veriut. Ne i kujtojmë qeverisë së këto janë arritjet e vendit tonë, janë arritjet e Shqipërisë dhe të gjithë shqiptarëve”, tha zëdhënësja Laura Vopsi gjatë deklaratës së saj.
 
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)