Çështja e votës së Diasporës pritet të shkaktojë jo pak debate gjatë punës për përmbushjen e kësaj të drejte të emigrantëve. Për “Report TV”, Lavdrim Krashi, Deputet i PS dhe Indrit Hoxha, Sekretar për emigracionin në PD theksuan vullnetin e palëve që në vitin 2025, diaspora të votojë, por kanë ndasi të thella për mënyrën se si duhet realizuar procesi. 

"Ne kemi një alternativë tonën, që sqaron se të gjithë shqiptarët jashtë vendit të kenë mundësi të votojnë dhe vota e tyre të lexohet e numërohet tek qarku dhe njësia ku ata kanë qenë të regjistruar këtu në Shqipëri. Ata të PS kërkojnë tjetër gjë. Ata kërkojnë që vota e diasporës të ketë dy apo tre deputetë të caktuar, apo ti bashkëngjiten një qarku në Shqipëri. Kjo s’mund të ndodhi", u shpreh Hoxha. 

"Vota e diasporës, do jetë votë bijo. Votë e pastër", shprehet Krashi. 

Edhe për rolin e Agjencisë Kombëtare për Diasporën, palët shprehën divergjencat e tyre.

"Është roli i nënkomisionit për diasporën që të mbikëqyrur të gjitha institucionet që kanë detyrime ligjore karshi diasporës. Për të përmendur 1 ose 2, Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme, apo Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që ka për detyrë që të paraqesin për miratim të gjitha aktet nënligjore për t’u dhënë mundësi shqiptarëve andej kufirit të kenë mundësi të votojnë", thotë Krashi. 

"Mazhoranca krijoi një Ministri për Diasporën, më pas e shkriu duke e kthyer në një agjenci për diasporën. Edhe këtë kërkon të shkrijë dhe agjencinë, për ta zhdukur nga skena politike diasporën shqiptare. Kjo ndodh për një arsye të thjeshtë, pasi kjo mazhorancë ka bërë gjithçka për ta shkatërruar këtë vend, për ti larguar nga ky vend", thotë Hoxha. 

Rëndësia e votës së diasporës së fundmi është theksuar edhe nga Ambasadorja e SHBA Yuri Kim, që sëbashku me Kreun e OSBE në Tiranë, Vincenzo Del Monaco, apeluan që politika shqiptare t’i mundësojë sa më shpejt diasporës mundësinë e votës. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nga krahu tjetër pret nga kuvendin votimin e akteve nënligjore, të cilat do t’i hapin rrugë procedurave të tjera ligjore, që do i jepnin diasporës shqiptare, pas 35 viteve demokraci mundësinë për të votuar.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:26
Vota e diasporës/ Lavdrim Krashi për Report Tv: PS e angazhuar që emigrantët të votojnë në 2025

Mazhoranca socialiste është e angazhuar, që diaspora të ketë mundësi të votojë brenda vitit 2025. Lavdrim Krashi, Deputet i Partisë Socialiste, në një intervistë për “Report Tv” nënvizoi se e parlamenti do të votojë aktet nënligjore që do të paraqiten nga KQZ brenda shtatorit 2023. Sipas tij, qeveria socialiste ka treguar një vëmendje të shtuar karshi diasporës shqiptare, ndryshe nga sa ndodhte para vitit 2013.

Intervista me Lavdrim Krashin, Deputet i Partisë Socialiste

Roli i nënkomisionit për diasporën

Krashi: Fokusi natyrshëm, edhe sipas emrit është Diaspora. Shqipëria ka fatin shumë të madhe se një pjesë e madhe e qytetarëve të saj jetojnë e punojnë në vende të ndryshime, kryesisht perëndim. Është roli i nënkomisionit për diasporën që të mbikëqyrur të gjitha institucionet që kanë detyrime ligjore karshi diasporës. Për të përmendur 1 ose 2, Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme, apo Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që ka për detyrë që të paraqesin për miratim të gjitha aktet nënligjore për t’u dhënë mundësi shqiptarëve andej kufirit të kenë mundësi të votojnë.

Në këtë kuadër, mund të themi se shumë shpejt do kemi akte nënligjore që diaspora të shprehi vullnetin e saj me votë

Krashi: Kuvendi i Shqipërisë e ka bërë detyrën e tij. Kuvendi ka miratuar ligjin për të mundësuar të drejtën e votës. Për të qenë i qartë, qytetarët shqiptarë gjithnjë e kanë patur të drejtën e votës në bazë të kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, por mundësia që ata të merrnin pjesë në votime ishte e pamundur, për arsye të vendit ku ata jetojnë. Ligji në parlament është miratuar, tani është detyrë e KQZ për të paraqitur aktet nënligjore për të mundësuar që qytetarët shqiptarë të votojnë kudo që jetojnë.

Cili është roli opozitës në këtë drejtim?

Krashi: Patjetër. Ndihma e opozitës, por përgjegjësi, bashkëpunim me opozitën. Pjesa e diasporës është ajo që në politikë na ndanë më pak sesa çdo çështje tjetër. Unë jam anëtar i diasporës prej 27 vitesh, që kam jetuar dhe punuar jashtë Shqipërisë. Ne si diasporës e shohim Shqipërinë si një, jo të njërës anë, apo tjetrës anë

Afatet ligjore?

Krashi: KQZ ka për detyrë, ata janë shprehur se deri në shtator të 2023 do ti kenë të përgatitur të gjitha aktet nënligjore. Ne deri në atë kohë do t’i skanojmë të gjitha këto aktet për ti miratuar më tej dhe urojmë që aplikimi i votës së diasporës të bëhet në zgjedhjet e ardhshme vendore në 2025.

Projektligji për shkrirjen e Agjencisë së Diasporës?

Krashi: Ai është një proces konsultimi, ku ministria për Europën dhe Punët e Jashtme pasi ka marrë në duar të gjitha funksionet që më herët ka patur ministria e Diasporës ka hedhur për diskutim nëse duhet ta kemi siç është kjo agjencinë e diasporës. Kjo agjenci është votuar me ligj të parlamentit dhe funksionet e saj duhet të vazhdohen e të kryhen, janë detyrime ligjore karshi diasporës, por mënyra se si do ti kryej këto funksione është në të drejtën e saj për ti rishikuar. Unë i bëjë apel qytetarëve të japin propozimin e tyre. Pastaj do procedohet sipas procedurave.

Si e shikoni qasjen e mazhorencës së PS me diasporën?

Krashi: Për diasporën dhe çështje te sa ka nisur të flitet më shumë sesa përpara pas vitit 2013. U realizuan dhe disa aktivitete të rëndësishme, si samiti kombëtar i diasporës në 2016. Dhe është prapë qeveria e PS që në vitin 2017 kishte ministër shteti për diasporën. Në këtë kuptim, PS i ka dhënë rëndësinë që meriton diaspora. Dhe tani, për herë të parë kemi dhe nënkomision për diasporën në kuvendin e Shqipërisë

A i frikësohet politika votës së diasporës?

Krashi: Mos harrojmë që kemi patur një marrëdhënie me diasporën edhe gjatë diktaturës, edhe pse nuk shihej si miqësore. Raporti që ka politika, qeveria e kujt do partie qoftë, është shumë e ndryshime tani. Unë flas në pozicionin personal, politika s’ka pse të ketë frika nga diaspora, pasi ajo është e çliruar nga çdo lloj ndikimi. Ajo kërkon të marrë pjesë përmes votës në politik bërje në vendin amë, dhe nuk është fare e ndikuar nga gjëra që në Shqipëri ndikohen. Vota e diasporës, do jetë votë bijo. Votë e pastër. 

Ora 12:25
Vota e diasporës, Indrit Hoxha për Report Tv: Emigrantët të votojnë në qarku ku kanë qenë të regjistruar

 

Komisioni i Rithemelimit është duke ndërtuar ura komunikimi me diasporën për të hartuar një program qeverisës ambicioz për shqiptarët jashtë kufirit. Indrit Hoxha, Sekretari për Emigracionin në Partinë Demokratike, gjatë një interviste për “Report Tv”, bëri të ditur se  PD është në një fazë riorganizimi total dhe po zhvillohen takime në të gjithë Europën, deri në Australi. Ai dënoi dhe sjelljen e mazhorancës, që ka kthyer zyrat e ambasadave jashtë vendi, në seli partie.

“Mazhoranca krijoi një Ministri për Diasporën, më pas e shkriu duke e kthyer në një agjenci për diasporën. Edhe këtë kërkon të shkrijë dhe agjencinë, për ta zhdukur nga skena politike diasporën shqiptare. Kjo ndodh për një arsye të thjeshtë, pasi kjo mazhorancë ka bërë gjithçka për ta shkatërruar këtë vend, për ti larguar nga ky vend, e kanë të qartë se nuk e kontrollojnë dot votën e diasporës. Kjo është arsyeja se përse mazhoranca socialiste nuk ka vullnetin e duhur për ti dhënë diasporës mundësinë për të votuar. Qëndrimi i PD dhe kryetari të saj është shumë i qartë, që zgjedhjet të përgjithshme pa votën e diasporës nuk do të ketë më në Shqipëri. Në shtator do nisim një debat të gjerë publik brenda Shqipërisë, por edhe me jashtë vendit, për mënyrën se si duhet të lexohet e numërohet vota e diasporës.

Ne kemi një alternativë tonën, që sqaron se të gjithë shqiptarët jashtë vendit të kenë mundësi të votojnë dhe vota e tyre të lexohet e numërohet tek qarku dhe njësia ku ata kanë qenë të regjistruar këtu në Shqipëri. Ata të PS kërkojnë tjetër gjë. Ata kërkojnë që vota e diasporës të ketë dy apo tre deputetë të caktuar, apo ti bashkëngjiten një qarku në Shqipëri. Kjo s’mund të ndodhi. Emigrantët tanë jashtë Shqipërisë janë thuajse të barabartë me ato që jetojnë brenda vendit. Gjatë këtyre 9 viteve, në PD është bërë një punë lidhur me organizimin e diasporës, por s’ka mjaftuar. Ne kemi hyrë në një fazë riorganizimi total, në një qasje tjetër  në raport me diasporën. Ne po punojmë për të zhvilluar takime në të gjithë europën, deri në Australi për të mundësuar hartimin e një program qeverisës ku përfshihet edhe diaspora”, tha ai.