6 muaj pas zgjedhjeve të 11 majit, kur u përmbyll edhe transporti i votës së diasporës që votoi përherë të parë përmes postës dhe në distancë, kompania DHL ka marrë pagesën e parë. Burime zyrtare pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i thanë Report TV se kompanisë i janë paguar 2 milionë euro, teksa kjo e fundit kërkuar afron 9 milionë për shërbimin e kryer për rreth 250 mijë zgjedhës të regjistruar në emigracion.
KQZ sqaron se verifikimi po vazhdon një më një për çdo zarf të transportuar, dhe parashikohet që auditimi i shërbimit të bërë nga DHL-ja, pritet të përmbyllet brenda këtij muaji. Komisioni nuk pranoi të sqarojë se cilat zarfe janë kategorizuar të pagueshme, pra të rregullta dhe cilat jo, teksa kërkoi mirëkuptim që një informacion i tillë të jepet vetëm në përfundim të kontrollit.
Vota e diasporës u kthye në mollë sherri, pas kritikave nga partitë, e kryesisht nga opozita. Kjo e fundit akuzoi PS-në që në bashkëpunim me DHL-në, veçanërisht në Greqi, manipuloi procesin dhe nuk jua dorëzoi fletët e votimit zgjedhësve të vërtetë. Ndaj, auditimi i postës nga ana e KQZ pritet me interes, për të parë nëse do të dokumentohen raste ku në zarfe mungon firma e votuesit, apo ajo është e dyshimtë (vizë, pikë, apo rreth).
Kompania postare protestoi pranë KQZ-së se do të aplikonte kamatvonesa disa mijëra euroshe nëse pagesat vonoheshin, por Celibashi e bëri të qartë se asnjë pagesë nuk do të kryehej pa u verifikuar cilësia e shërbimit postar.
Komente












