Tiranë- Nisja zyrtare e regjistrimeve të emigrantëve shqiptarë prej 11 Janarit në KQZ po njeh interes të lartë nga ora në orë.

Në tre ditët e para ka një ritëm mesatar prej rreth 3 mijë regjistrimesh në ditë. Momentalisht ky numër ka shkuar në 8727 aplikime (ora 12:00 e 13 Janar).

Gazetarja e Report TV, Esiona Konomi, informon se vijojnë të kryesojnë emigrantët shqiptarë në Itali me mbi 2 mijë regjistrime, pastaj Greqia me mbi 1200 dhe më tej ata në Gjermani, Angli, SHBA dhe vendet e tjera.

Vihet re se ditën e sotme është rritur ndjeshëm numri i aplikimeve nga diaspora në Greqi.

Deri ditën e djeshme ishin regjistruar rreth 7 mijë persona dhe deri tani janë miratuar rreth 1 mijë prej tyre, ndërsa vazhdon puna nga staf i KQZ-së që punon me 3 turne për t’iu përgjigjur kërkesave, duke i informuar për kalimin me sukses, apo refuzimin.

Nga shifrat vihet re se pjesa dërrmuese, gati 73% janë burra. 62 % i takojnë grupmoshës 25-45 vjeç, ndërsa ka pak interes nga emigrantë të moshave të reja, ose të fashës së pensionistëve.

Zgjedhësit duhet ta bëjnë vetë aplikimin, pasi sistemi kërkon shfaqjen e fytyrës drejtpërdrejtë, e cila krahasohet me foton e dokumentit të identifikimit.

Në këtë fazë, diasporës ju pranohet çdo dokument shqiptar identifikimi, edhe nëse ai ka skaduar, por më e rëndësishmja, ju kërkohet një dokument që vërteton banimin në atë adresë ku kërkon t’i shkojë fleta e votimit.

Nëse jeni emigrantë dhe dëshironi të regjistroheni për të votuar në zgjedhjet parlamentare 2025, klikoni KËTU.