Legjenda e futbollit kroat u rizgjodh më 22 dhjetor si presidenti i federatës së këtij vendi nga Asambleja. Por Inspektoriati i Sportit në Kroaci zbuloi se votues kishin qenë edhe persona të cilët nuk duhej të kishin marrë pjesë në votim dhe si autoritet më i lartë sportiv, i cilëson këto zgjedhje të pavlefshme.
Sipas protokollit, rezultojnë si votues edhe 5 përfaqësues të shoqatave rajonale të futbollit në Kroaci. Por asnjë prej tyre nuk duhej të kishte votuar, pasi ishin edhe anëtarë të Komitetit Ekzekutiv, duke vepruar kësisoj kundër statutit dhe ligjit.
E njëjta situatë pak a shumë ka ndodhur edhe në zgjedhjet e Federatës Shqiptare të Futbollit, ku shoqatat rajonale ishin të paregjistruara në gjykatë, për më tepër disa delegatë punonjës të vetë federatës. Edhe në Shqipëri procesi i votimit është kontestuar nga kandidati Bashkim Fino, ndërsa pritet vendimi i Gjykatës për t’u shprehur në lidhje me shoqatat fantazmë.
Mund të thuhet se deri tani, ndryshe nga Kroacia e Bashkimit Evropian, në Shqipërinë “kandidate” për në BE ende askush nuk e ka shkarkuar dot Armand Dukën.
s.k/Shqiptarja.com
