Në aspektin politik zgjedhjet janë një test me rëndësi për dy aktorë politikë, kryeministrin Gruevski dhe partnerin e tij shqiptar Ahmeti. Përpjekjet e dy partnerëve qeverisës për të imponuar kushte dhe zgjidhje politike ndaj njëri tjetrit, përbëjnë edhe arsyen kryesore për ta lexuar raundin e dytë presidencial dhe zgjedhjet parlamentare si një moment me rëndësi në konfigurimin politik të 4-5 viteve të ardhshme. Motivet janë të shumta dhe skenarët janë ende mbi tavolinë.
Së pari, zgjedhjet e të dielës u shoqëruan me dy zhvillime: tre kandidatë maqedonë për presidencën, dy palë shqiptare që ecin në drejtime të kundërta; njëra bojkoton zgjedhjet, tjetra kandidon një politikan pa pretendime të mëdha. PDSH gjykoi se pjesëmarrja dhe imponimi me vota I jep asaj pozitë më të favorshme në raundin e dytë, kurse BDI pretendoi se bojkotimi dhe një votë taktike në raundin e dytë do të mund ta rikthente atë fuqishëm në vendimmarrjet kryesore politike. Dy palët refuzuan takimet, bashkëpunimin, sjelljen e matur ndaj njëra tjetrës, dhe për rrjedhojë, operuan me të njëjtën gjuhë akuzuese, denigruese e konfliktuale si edhe më parë, të njëjtë me atë që shpesh gjejmë edhe në Tiranë dhe Prishtinë. Dy palët morën vendime të ndryshme, por duke pasur objektiva të njëjta, - duke i lënë shqiptarët ende pa një vision të qartë afatgjatë për raportin e tyre politik me etninë e shumicës.
Së dyti, retorika e ashpër nuk ishte vetëm ndërshqiptare, por edhe midis qeverisë aktuale maqedone dhe palës shiptare. Përpjekja për të fituar 62 vota, “për të shpërtuar nga shantazhet e shqiptarëve” u bënë refren direkt ose indirekt si për presidentin në detyrë Ivanov ashtu edhe për kryeministrin në detyrë Gruesvski. Fryma e Marrëveshjes së Ohrit është ndryshe, - ikje nga retorika dhe politikat përjashtuese etnike dhe ecja drejt një bashkëjetese të përgjegjshme ndëretnike, gjë që pala maqedonase e injoroi përsëri, qoftë për shkak se ashtu mendon, qoftë edhe për shkak se ashtu e kërkonin interesat elektorale e votuesve nacionalistë. Kandidati opozitar ishte më luajal, më bashkëpunues, edhe ai, për të njëjtat arsye, nevoja për vota, nevoja për shqiptarët përballë një mazhorancë të fortë dhe dominuese në dekadën e fundit. Në raundin e dytë votat shqiptare mund të përcaktojnë fituesin presidencial, ndaj me siguri fushata do vijojë në dy drejtime paralele: midis retorikës publike nacionaliste dhe bisedimeve të fshehta politike me palën shqiptare.
Së treti, ideja që shqiptarët të kenë një prej tri posteve kryesore në shtetin maqedon (president, kryeministër, kryetar parlamenti) de facto ka vlerë vetëm për këtë të fundit. Presidenti do jetë maqedon, kryeministri po ashtu, kryeparlamentari do përcaktohet nga raportet e mazhorancës së ardhshme. Plani i BDI për president konsensual, i bukur në tingëllim, ishte dhe mbetet pa sens në konfigurimin ndëretnik maqedon. Ideja është më e mirë sesa skema taktike – thotë BDI, por idetë e pajetësuara nuk janë shumë të sukseshme në Ballkan dhe BDI me siguri e di këtë. Kjo ide ka vlerë por mund të shërbejë si alibi për të ndjekur një skemë taktike në raundin e dytë, psh, për të kanalizuar votën shqiptare tek kandidati i opozitës, si një mënyrë e balancimit të pushtetit dhe e fillimit të rënies së kryeministrit Gruevski.
Ky plan është dhe mbetet real, nëse palët shqiptare dakordësohen, nëse pala shqiptare ka një plan B për të siguruar një pozitë më të rëspektueshme në politikën e lartë vendimmarrëse maqedone, dhe nëse ka mbështetjen e faktorit ndërkombëtar, i cili në Maqedoni, ashtu si në rajon, ka një rol e zë të vecantë. Tek e fundit në lojë hyn edhe realpolitika: Ivanov ishte president, u provua, nuk solli asgjë të re në raport me shqiptarët, mbajti një profil politik dhe etnik të dukshëm dhe nuk ka arsye të jetë edhe më tej produkt i votës shqiptare. Kandidati opozitar është një alternativë, jo më e mira, por më optimalja, dhe i gatshëm të ofrojë dicka më shumë për shqiptarët, nëse vota e tyre do ti japë atë që nuk e merr dot nga pala maqedone, postin e kreut të shtetit.
Së katërti, fushata në Maqedoni humbi shansin të sjellë ndonjë risi në aspektin e trajtimit të cështjeve të mëdha të pazgjidhura, dhe që retorika politike të kalojë nga natyra nominale e personale në atë programore dhe konkurruese. Mungojnë programet realiste, mungojnë platformat afatgjata, mungojnë kontratat politike e sociale me qytetarët, mungon moraliteti dhe përgjegjësia, mungojnë politikat parimore dhe vizioni realist sesi do projektohet Maqedonia e shekullit të ri. Fushata i ngjan më shumë një gare folklorike midis disa emrave, me premtime e sllogane të mëdha që nuk thonë asgjë, me pritshmëri të vogla dhe me mbështetje publike e ndërkombëtare gjithashtu ende të brishtë.
Kanalizimi etnik i ka privuar partitë nga ndarjet ideologjike dhe programore, dhe se cështjet e integrimit, bashkëjetesës, reformave të mëdha, etj, vijojnë të mbeten edhe më tej tabu, pa oferta konkrete. Në këtë aspekt, fushata ndërshqiptare është edhe më problematike, më personale, më folklorike, më pak productive dhe më pak shpresdhënëse. Të njëjtit lider, të njëjtat premtime, të njëjtat fjalë e sjellje, të njëjtat praktika, të njëjtat metoda politike, të cilat përderisa sollën suksese modeste, nuk kanë forcë, besim dhe as vullnet të shndërrohen në frymë ndryshimi, në shpresë dhe inspirim politik.
Së fundi, zgjedhjet mbartin në vetvete një paradoks dhe një mesazh që po injorohet: Maqedonia zgjedh presidentin, kandidatë potencioalë janë dy maqedonë, dhe fitues do jetë ai që merr votat shqiptare. E njëjta gjë për mazhorancën e ardhshme parlamentare.
Nëse vota shqiptare përcahet pala maqedone i zgjedh vetë të gjitha, dhe shqiptarët nuk kanë më ndonjë rol domethënës, përvec disa posteve ministrore. Kjo nuk duhet të ndodhë. Nga ana tjetër, përderisa vota etnike është përcaktuese, atëherë nuk ka sens që partitë dhe politika në Maqedoni të mos ecin në drejtim të reflektimit të këtij realiteti, - të konkurrojnë për më shumë partneritet, demokraci ndëretnike, integrim social dhe ndarje të përgjegjësive. Shteti shqiptar, që do të duhej të ishte aktiv me prezencë e këshilla, nuk ndjehet, dhe është i zënë me sms midis politikanëve. Kosova gjithashtu nuk ka rol në Kosovë, ndryshe nga Serbia, e cila ka pasur dhe ka një rol. A janë zgjedhjet e një vendi imune dhe a duhet të jetë cështje e brendshme? Kushtetuta e Shqipërisë dhe e cdo vendi në rajon, thotë ndryshe.
Zgjedhjet në Maqedoni bëhen për shtetin maqedon, për presidentin dhe parlamentin, për qeverinë dhe partitë politike, por vlera e tyre nuk ka qenë dhe nuk është rotacioni midis maqedonasve, sa është dhe mbetet aftësia e këtij vendi për të krijuar një model bashkëjetese aktive dhe funksionale midis maqedonasve e shqiptarëve. Dhe kur në votë janë problemet shqiptare, prespektiva shqiptare dhe qytetarët shqiptarë nuk ka vend për heshtje, dhe vrojtim nga roli i vëzhguesit ndërkombëtar dhe se cdo dështim apo sukses na prek, na përfshin, bën pjesë në interesat tona afatgjata shtetërore, politike dhe kombëtare.
Shkrimi u publikua sot (16.04.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)