Votë kundër Armenisë
për gazin e Azerbajxhanit
Berisha niset drejt Baku

Votë kundër Armenisë<br />për gazin e Azerbajxhanit<br />Berisha niset drejt Baku
TIRANE- Shqipëria kërkon gazësjellësin Trans Adriatik nëpërmjet vendit tonë. Kjo mund të realizohet brenda këtyre tre muajve ku do të merret vendimi nga qeveritarët e Azerbajxhanit.

Por për të përfituar nga ky projekt madhor që kushton disa miliardë euro, do të duhet të dalë hapur pro Azerbajxhanit në konfliktin që ka që nga viti 1998 me Armeninë për rajonin Nagorni-Karabakh. Deri tani, janë bërë 10 takime me ndërmjetësinë e Rusisë për zgjidhjen e konfliktit dypalësh, ndërsa Shqipëria, duke dhënë votën pro Azerbajxhanit, mund të përfitojë nga gazi që do të marrë nga ky vend, nëpërmjet projektit që do të kalojë në Shqipëri. Në fakt, këtij qëllimi i kanë shërbyer vizitat e nivelit të lartë që janë zhvilluar mes dy vendeve në harkun kohor të dy viteve. Në qershor të vitit 2010, kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, ka qenë për vizitë zyrtare në Azerbajxhan. Në vitin 2011 vetë ministri i jashtëm, njëkohësisht zv.kryeministër Edmond Haxhinasto ka shkuar në Azerbajxhan. Ndërkohë që sot do të shkojë kryeministri shqiptar Sali Berisha, për një vizitë zyrtare, gjatë së cilës në datat 9 dhe 10 shkurt do takohet me zyrtarë të lartë.

Ambasadori i Azerbajxhanit për Shqipërinë Rahman Mustafauyev dha një intervistë për "Tirana Times" dy ditë më parë, ku foli për konfliktin mes Armenisë dhe Azerbajxhanit duke dhënë edhe detaje konkrete se në ç'fazë janë bisedimet që deri tani nuk kanë sjellë asnjë rezultat. Por ai theksoi se "vlerëson maksimalisht qëndrimin principial të Shqipërisë për çështje të sovrenitetit dhe integritetit territorial të Azerbajxhanit". Zoti Mustafayev tha se Baku e mirëpret vizitën e kryeministrit shqiptar. "Do të jetë vizita e parë e këtij niveli kryeministror në vendin tonë dhe pala e Azerbajxhanit është gati të bëjë më të mirën e saj për të qenë e dobishme dhe e suksesshme. Ne jemi të bindur që vizita e Sali Berishës - kryeministrit dhe presidentit të parë të zgjedhur në mënyrë demokratike në Shqipëri, - do të kthejë një faqe të re në historinë e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Azerbajxhanit, shtoi ai.

DEKLARATA E BERISHES
Të hënën në mbledhjen e grupit parlamentar të PD, kryeministri Berisha foli për vizitën e tij të datave 9 dhe 10 shkurt në Azerbajxhan, duke folur për rëndësinë që ka projekti Trans Adriatik për Shqipërinë, por pa përmendur se nga pikëpamja diplomatike, dukshëm do të mbajë anën e Azerbajxhanit, përkundrejt Armenisë në konflikt. "Kalimi nëpër territorin e Shqipërisë i kursen këtij projekti disa miliardë euro dhe e bën këtë më të shkurtin dhe më të shpejtë për t'u realizuar. Kjo është një periudhë përcaktuese, sepse gjatë këtyre dy tre muajve merret vendimi përfundimtar nga konsorciumi i detit Kaspik përbërë nga një grup kompanish, ndër më kryesoret është fjala e kompanissë së Azerbajxhanit, vend që ka fushën me sasi kolosale gazi"- tha Berisha.

Sipas tij, duke e krahasuar këtë me projekte të tjera, trans Adriatik është më i mundshmi. "Pata rastin të bisedoj me presidentin e Azerbajxhanit, gjatë konferencës në Mynih dhe njoftoj se unë shkoj në një vizitë zyrtare në këtë vend mik, ku këto probleme dhe marrëdhëniet bilaterale me atë vend janë dhe axhendë shumë e rëndësishme e vizitës sime, në 9-10 shkurt"- tha kryeministri.

CILI ESHTE KONFLIKTI
Në vitin 1988, në fund të sundimit sovjetik, trupat armene dhe azerbajxhanase u përfshinë në një luftë të përgjakshme në rajonin e Nagorni- Karabakh, e cila e la mbarë rajonin në duart e armenëve duke nxitur debimin në masë të azerëve. Armëpushimi u nënshkrua në vitin 1994, por deri tani negociatat kanë dështuar për të prodhuar një marrëveshje të përhershme paqeje.
Pak kohë më parë presidenti i Azerbajxhanit deklaroi se ka vetëm dy mënyra për zgjidhjen e konfliktit: mënyra amerikane e negociatave dhe mënyra ushtarake. Ilham Alijev ka deklaruar se konflikti nuk mund të harrohet. "Në qoftë se dikush mendon se çështja kryesore në bisedime është për të parandaluar luftën, unë nuk bie dakort. Ne nuk duam luftë. Kush dëshiron luftë? Për më tepër, Azerbaixhani ka arritur suksese të mëdha. Por kjo nuk do të thotë se procesi i negociatave do të lihet mënjanë e ne do të përqendrohemi vetëm në evitimin e luftës. Kjo nuk do të ndodhë"- ka deklaruar Alijev, i cili thotë se azerbajxhanasit duhet të kthehen në tokat e pushtuara.
(Shkrimi eshte botuar sot ne gazeten Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Morën votëbesimin në parlament, dy ministrat e rinj Vengu dhe Hoxha bisedojnë me njëri-tjetrin

Morën votëbesimin në parlament, dy ministrat e rinj Vengu dhe Hoxha bisedojnë me njëri-tjetrin