MAQEDONI - Kuvendi i Republikës së Maqedonisë debaton dhe voton sot për mocionin e Qeverisë, me kërkesë të partisë opozitare LSDM. Sipas kësaj force politike, shkak për votimin e mocionit të Qeverisë, është përplasja dymujore mes partive qeveritare VMRO-DPMNE dhe BDI, me të cilën rrezikohen raportet ndëretnike dhe integrimi i vendit.

Agjencia e lajmeve INA raporton se mediat proqeveritare theksojnë se dy partitë e koalicionit do të veprojnë të koordinuara lidhur me interpelancën dhe se ato këtë seancë e konsiderojnë si të zakonshme. Gazeta “Dnevnik” mëson se nuk mund të përjashtohet edhe pozicioni i Gruevskit, i cili vetë do të kërkojë votëbesimin e kabinetit të tij qeveritar.

Deputetët e PDSH-së do të marrin pjesë në debatin parlamentar për interpelancën por gjatë votimit do të jenë neutral, deklaroi kryetari i partisë, Menduh Thaçi. “Ne gjendemi në një pozicion shumë më delikat se sa opozita maqedonase. Kjo për faktin se premtuam që do ta mbështesim BDI-në, në luftën kundër miratimit të ligjeve antishqiptare. Kemi dhënë fjalën dhe do ta mbajmë, mirëpo mbështetja nuk do të jetë e përhershme, mund të zgjasë disa ditë ose javë” deklaroi Thaçi.

Në rast se votohet rënia e Qeverisë, atëherë kryeministri jep dorëheqjen. Interpelanca e fundit në Maqedoni ndaj Qeverisë ka qenë më 7 qershor 2007, gjatë mandatit të parë të kryeministrit Nikolla Gruevski dhe koalicionit të tij me PDSH-në.

(dm/Gre.M/Shqiptarja.com)