Parlamenti i Libanit hoqi të martën dënimin me vdekje, duke e bërë atë vendin e parë në botën arabe që e zëvendëson atë me dënimin me burgim të përjetshëm dhe me punë të rëndë të detyruar.

Sipas mediave të huaja, vendi i vogël mesdhetar është zotuar për një moratorium jozyrtar mbi ekzekutimet që nga janari i vitit 2004. Megjithatë, që atëherë janë dhënë dhjetëra dënime me vdekje, por më vonë janë pezulluar ose ndryshuar.

Shumica e parlamentit me 128 anëtarë të Libanit votuan në favor të heqjes së dënimit me vdekje, me përjashtim të bllokut parlamentar të Hezbollahut.

Ministri i Drejtësisë, Adel Nassar, i cili ishte në Parlament, e quajti atë një "hap historik" për vendin.

Grupet e të drejtave të njeriut që kanë bërë thirrje për formalizimin e moratoriumit ose heqjen tërësisht të dënimit me vdekje, kanë nisur festimet pas votimit në Parlament.

Ramzi Kaiss, Hulumtues i Libanit në Human Rights Watch, thotë se Libani po “shënon një shkëputje përfundimtare nga një dënim mizor që nuk duhet të shqiptohet kurrë”.

Dënimi me vdekje është unik në mizorinë dhe qëllimin e tij përfundimtar dhe është i mbushur me arbitraritet, paragjykime dhe gabime”, tha ai.

Nuk është e qartë se si do të zbatohet puna e rëndë e detyruar, pasi disa ligjvënës thanë se kushtet e dënimit të ri nuk janë ende të qarta. Libani e ka dënimin me punë të detyruar të shkruar në ligj dhe në vendime gjyqësore, por edhe ato janë zbatuar rrallë vitet e fundit për shkak të mungesës së burimeve dhe kapaciteteve brenda burgjeve të mbipopulluara të Libanit, i cili është në vështirësi financiare.

Heqja e dënimit me vdekje në Liban vjen në një kohë kur parlamenti po debaton një ligj për amnisti të përgjithshme, më i madhi që nga fundi i luftës civile 15-vjeçare në vitin 1990, që mund të ulë dënimet ose edhe të lirojë militantë dhe trafikantë droge të dënuar, me disa përjashtime.

Anëtarët e familjeve të ushtarëve dhe ushtarakëve libanezë të vrarë ose të sulmuar nga grupet militante islamike kanë protestuar vazhdimisht kundër ligjit, disa duke thënë se kishin shpresuar që autorët që vranë anëtarët e familjeve të tyre të ekzekutoheshin, në vend që t'u jepeshin dënime me burgim.

Hezbollahu nuk komentoi në lidhje me votimin historik. As institucionet e ndryshme fetare të Libanit, ku dënimi me vdekje konsiderohet i ligjshëm në disa nga sistemet e tyre përkatëse gjyqësore.