TIRANE - Të festosh Vitin e Ri në shtëpi. Kjo është zgjidhja më e përshtatshme për qytetarët e Kryeqytetit.

Televizioni A1Report, në prag festash rubrikën Vox-Pop ia ka dedikuar pikërisht marrjes së mendimit të qytetarëve lidhur me ambientin e festimit të ndërrimit të viteve.

Për shkak të ndjekjes së traditës apo “çmendjes” së çmimeve, qytetarët janë shprehur se nuk do të preferojnë të festojnë në restorante dhe ambiente të tjera argëtuese ardhjen e Vitit të Ri 2013.

Për mikrofonin e A1Report, qytetarët janë shprehur se çmimet në restorante dhe pub-et e Kryeqytetit vazhdojnë të mbeten të “kripura” edhe në prag të vitit 2013, duke variuar nga 5 mijë lekë (të reja) deri në 11 mijë lekë (të reja) për person.

Të pyetur nga gazetarja e televizionit A1Report, Eriselda Martini se ku do të festojnë, qytetarët shprehen se të detyruar nga kushtet ekonomike, kanë zgjedhur shtëpinë.

“Ne do të festojmë në shtëpi. Kurse fëmijët kanë qejfe nëpër lokale por në shtëpi do festojmë, sepse nuk i kemi kushtet ekonomike”, -shprehet një qytetare.

Një tjetër zonjë thotë: “Këtë fundvit do ta kaloj në shtëpi. Është më mirë në shtëpi. Mblidhemi të gjithë, me familjen, me fëmijët dhe kalojmë më gëzuar, ndoshta është edhe tradita, por ne kështu na pëlqen.”

KRIZA, EDHE DEPUTETET SHQIPTARE FESTOJNE NE SHTEPI
Por jo vetëm qytetarët janë prekur nga kriza ekonomike, edhe pse Kryeministri i vendit, Sali Berisha nuk e pranon se Shqipëria është në krizë. Një pjesë e mirë e deputetëve shqiptarë do të festojnë Vitin e Ri në shtëpi.

Në një forum për këtë temë, gazeta e përditshme SHQIPTARJA.com, pyeti disa nga deputetët e Kuvendit. Ndryshe nga vitet e kaluara, ku shumica e ligjvënësve shqiptarë preferonin restorantet dhe hotelet e shtrenjta jashtë Shqipërisë, këtë vit shumica e tyre kanë zgjedhur ta presin 2013-ën në qytetet ku ata jetojnë. Kjo, sipas tyre ka edhe lidhje me krizën ekonomike që po kalon vendi. Në të njëjtën kohë, sipas deputetëve, ambientet familjare me të afërmit mbeten traditë e tyre e pandarë.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)