Para togave të zeza, 31-vjeçari nga Burrelli Sabah Nuzi, mohoi të jetë vrasësi i 22-vjeçarit po nga Burreli, Klevis Lleshi në vitin 2020. SPAK e akuzon se është paguar 50 mijë euro nga 36-vjeçari në kërkim Aurel Hoxha, i cili dyshohet se e donte të vrarë të riun, në shenjë hakmarrje ndaj vrasjes së vëllait të tij në 2012-ën në Angli, nga kushëriri i Klevis Lleshit. Avokati i Sabah Nuzit kërkoi heqjen e masës së sigurisë, por gjykata e posaçme, e la në burg.  

Aurel Hoxha, pronar i bar “Monopol” në Tiranë, dyshohet se është urdhëruesi, organizatori dhe drejtuesi i grupit kriminal që ekzekutoi dhe groposi 22-vjeçarin në vitin 2020, derisa mbetje të tij kockore dolën rastësisht në sipërfaqe nga erozioni në një fshat të Mamurrasit

Pas vrasjes së vëllait të tij në Angli në atë kohë 29 vjeç, nga Arben Lleshi, ai dyshohet se u betua tu marrë jetën burrave të fisit Lleshi. Në 10 vite janë vrarë 2 xhaxhallarë të Arben Lleshit, kushëriri i tij i vogël Klevisi, ndërsa djali i xhaxhait tjetër është zhdukur pa gjurmë prej vitit 2017. 

Në vitin 2023 hakmarrja u përmbyll me vrasjen në burgun e Peqinit të Arben Lleshit, ekzekutorit të vëllait të Aurel Hoxhës në Angli. Lleshi u vra nga i dënuari përjetë Sokol Mjacaj, i cili deri më tani edhe pse është ripyetur nga Prokuroria e Elbasanit nuk pranon të bashkëpunojë për të treguar urdhëruesit.

Megjithë dyshimet se pas vrasjes së burrave të fisit Lleshi, fshihet gjakmarrja, i vetmi krim që SPAK ra në gjurmët e Aurel Hoxhës, është rrëmbimi dhe vrasja e Klevis Lleshit në 2020-ën, i zbardhur nga bisedat në SkyEcc, 5 vite më pas.

Personi tjetër që SPAK akuzon se ishte ndërmjetës në këtë krim, Sajmir Kolaveri, është kapur në Itali dhe pritet ekstradimi i tij në Shqipëri.

SPAK është duke hetuar për të gjetur prova edhe për vrasjet e më shumë se 1 dekade më parë të xhaxhallarëve të Arben Lleshit, të cilat deri tani janë arkivuar pa autor. 

Për të arrestuarin tjetër në Shqipëri, 31-vjeçarin Samet Loka gjykata e Posaçme vendosi “arrest në shtëpi”. SPAK nuk e lidh Lokën me vrasjen e 22 vjeçarit Lleshi, por e akuzon për “pastrimit të parave” si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal të drejtuar nga Aurel Hoxha në pastrimin e parave të trafikut të drogës me investime në Shqipëri dhe jashtë saj. 

Akuzat që rëndojnë ndaj tyre
Sabah Nuzi - Vrasje për gjakmarrje, Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit, Fshehja ose asgjesimi i kufomës, Grupi i strukturuar kriminal, Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale.
Samet Loka - Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale, Grupi i strukturuar kriminal, Grupi i strukturuar kriminal, Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale

 

VRASJET PËR GJAKMARRJE
2012 – Arben Lleshi vret Agim Hoxhën në Londër
2013 – Vritet xhaxhai i Arben Lleshit, Xhavit Lleshi
2016 – Vritet xhaxhai tjetër i Arben Lleshit, Hajderin Lleshi
2020- Vritet kushëriri i Arben Lleshit, Klevis Lleshi (djali i Xhavitit)
2023- Vritet në burg Arben Lleshi