DURRËS- "Pse më sheh" ka qenë ky motivi i sherrit masiv në qytetin e Durrësit mbrëmjen e djeshme i cili përfundoi me një viktimë dhe 2 të plagosur. Kaq ka mjaftuar që një grup prej 5 personash të konfliktohen fizikisht me sende të forta dhe më pas me armë, duke vrarë 39-vjeçarin Armando Baboçi (Gjini)  dhe duke lënë të plagosur djalin e tij, Erald Gjini 19-vjeç.

Të arrestuar për këtë ngjarje janë Klodian Daci, 20 vjeç, Henri Tatasi, 23 vjeç dhe Sergio Tatasi, 20 vjeç, banues në Durrës. Ka qenë Klodjan Daci i cili ka qëlluar me armë babë e bir, Armando Baboçi (mban mbiemrin e gruas) dhe Erald Gjini. 39-vjeçari mori plumb në bark, e për pasojë humbi jetën ndërsa djali ka marrë plagë në duar, jashtë rrezikut. Ndërkohë, te spitali i Traumës në Tiranë ndodhet një tjetër i plagosur. Bëhet fjalë për 23-vjeçarin me inicialet H.T., kushëri me të arrestuarit, gjendja shëndetësore e të cilit nuk dihet ende.

Fillimisht sherri nisi mes disa të rinjve dhe më pas thirrën "përforcime", ku 19-vjeçari ka përfshirë në sherr babanë e tij ( i cili vdiq) dhe xhaxhanë, e ndërsa pala tjetër shokët e kushërinjtë, duke e mbyllur këtë konflikt për motive banale në mënyrë tragjike. Kur babë e bir kanë tentuar të largohen nga lokali, i kanë bllokuar rrugën me dy makina. Makinat janë përplasur me makinën e viktimës, siç shihet në pamjet që sjell Report Tv, dhe më pas kanë qëlluar me pistoletë në drejtim të tyre. Konflikti u zhvendos nga lokali në rrugë, ku në vendngjarje mbetën shkopi i bejsbollit, karrige dhe makina e dëmtuar. Mësohet se i gjithë sherri ka zgjatur rreth 1 minutë, i cili është filmuar nga kamerat e sigurisë aty pranë, të cilët janë sekuestruar si provë materiale.

Viktima Armando Baboçi ishte me origjinë nga Laçi, një person me precedent penal të mëparshëm dhe prej disa kohësh banonte në Durrës. Nga ana tjetër, në pranga për moskallëzim krimi ranë Endri Cimo (Bregu), 25 vjeç dhe Argit Kastrioti, 24 vjeç, banues në Durrës. Ndërkohë që janë sekuestruar edhe 3 automjete dhe 4 aparate celular.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:55
Armando Baboçi, 39-vjeçari që u vra mbrëmjen e djeshme në Durrës përcillet për në banesën e fundit

Armando Baboçi, 39-vjeçarit që ndërroi jetë mbrëmjen e djeshme pas një sherri në Durrës, është përcjellë për në banesën e fundit. Varrimi po bëhet në vendlindjen e tij në Laç.

Ora 11:25
60 sekonda sherr me shkopa bejsbolli, karrige e armë që përfundoi me një viktimë në Durrës! Kamerat filmuan skenën

Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur nga sherri masiv që u regjistrua mbrëmjen e djeshme në Durrës. Gazetari i Report Tv, Artur Korriku raporton se i gjithë sherri ka zgjatur rreth 1 minutë, i cili është filmuar nga kamerat e sigurisë aty pranë. Ndërkohë, viktima, Arbando Baboçi është një person me precedent penal.

Ora 10:13
Babai mbeti i vdekur u plagos i biri/ Sherri masiv në Durrës për arsyen 'pse më sheh'

Detaje të reja kanë dalë në dritë nga vrasja e 39-vjeçarit, Armando Baboçi dhe plagosja e djalit të tij, Erald Gjini. "Pse më sheh" ka qenë ky motivi i sherrit masiv në qytetin e Durrësit mbrëmjen e djeshme i cili përfundoi me një viktimë dhe 2 të plagosur. Kaq ka mjaftuar që një grup prej 5 personash të konfliktohen fizikisht me sende të forta dhe më pas me armë, duke vrarë 39-vjeçarin Armando Baboçi dhe duke lënë të plagosur djalin e tij, Erald Gjini 19-vjeç.