19-vjeçari Gazmend Sllami i cili u ekzekutua dje në fshatin Gur i Zi në Elbasan, kishte marrë një telefonatë dy orë para se të vritej.
 
Familjarët e 19-vjeçarit që u gjet i vrarë 200 metra larg banesës së tij, kanë dëshmuar në polici se ai ka marrë një telefonatë rreth orës 14:00 dhe ka dalë menjëherë nga shtëpia, për të mos u kthyer më kurrë.
 
Sipas familjarëve, pas telefonatës Gazmendi është larguar nga banesa pa thënë se ku do të shkonte.
 
2 orë pasi ka dalë nga banesa, 19-vjeçari është gjetur i vrarë me një plumb në zemër në një kodër pranë shtëpisë.
 
Kanë qenë familjarët dhe fqinjët që e kanë gjetur atë të shtrirë përtokë dhe e kanë dërguar menjëherë në spital, por sipas mjekëve ai ka mbërritur i pajetë atje.
 
Sipas familjarëve, Gazmendi nuk ka pasur konflikt me asnjeri dhe ishte djalë shembullor. Përveç familjarëve, në pyetje janë marrë edhe të afërm, shokë dhe fqinj të viktimës.
 
Policia dyshon se autorët e krimit mund të jenë të njohur të 19-vjeçarit, por nuk janë nga i njëjti fshat.
 
I riu që u ekzekutua dje merrej me bujqësi, pasi nuk kishte mundur që të vazhdonte gjimnazin. Me 11 dhjetor Gazmend Sllami mbushte 20 vjeç.
 
Deri më tani policia ka shoqëruar mbi 15 persona të cilët janë marrë në pyetje, ndërsa vijon puna për gjetjen e gjurmëve të autorëve, të cilat mund të çonin edhe në zbulimin e vrasësve. 

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com