TIRANË - Policia e Kurbinit ka arrestuar autorët e dyshuar të vrasjes së 20-vjeçarit Ervis Zyba, ngjarje kjo e shënuar më datë 25 shkurt në një lokal nate në Kurbin. Burime nga policia bëjnë me dije se arrestimi i tyre u bë i mundur falë një operacioni të zhvilluar nga Policia e Kurbinit. Në pranga përfunduan Elgert Cara, 19 vjeç, banues në Zheje-Kurbin, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Vrasjes me paramendim e kryer në bashkëpunim” dhe “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe municionit” dhe Dorjan Cara, 25 vjeç, banues në Zheje-Kurbin, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Vrasjes me paramendim e kryer në bashkëpunim” dhe “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe municionit”. Këta persona, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dyshohen të jenë autorët e vrasjes së shtetasit Ervis Zyba. Materialet do i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin për veprime të mëtejshme.

Ngjarja
Më datë 25 shkurt 2016, rreth orës 2:00 të mëngjesit në vendin e quajtur Fushë-Milot, në ambientet e jashtme të një lokali nate 20-vjeçari Zyka është qëlluar për vdekje nga vëllezërit Cara, tashmë të arrestuar. Nga Sektori i Krimeve të Rënda në Policinë e Lezhës dhe të Efektivave të Seksionit të Krimeve në Komisariatin e Policisë Kurbin, është ngritur menjëherë grupi hetimor të cilët kanë shkuar në vendngjarje, për zbulimin e kësaj ngjarje të rëndë kriminale. Pas hetimeve të kryera u bë e mundur dokumentimi ligjor i kësaj ngjarje me zbardhjen e plotë të kronologjisë së ngjarjes, motiveve dhe identifikimin e autorëve .

Motivi
Nga hetimet e kryera rezulton se shtetasit Xhevahir Lika dhe shtetasi Elgert Cara ishin të përfshirë në një konflikt për motive të dobëta rreth një vit më parë. Viktima Ervis Zyba ishte shok i shtetasit Xhevahir Lika dhe të dy së bashku kanë shkuar në një lokal, në lagjen nr.6 Kurbin, në të cilin kishte muzikë live. Pasi kanë qëndruar rreth katër orë në këtë lokal, të dy shtetasit e lartpërmendur kanë dalë nga lokali rreth orës 1:30 dhe kanë hipur në automjetin e tyre të markës Mercedez Benz me targa AA 898 MR. Në atë moment tek mjeti, janë afruar shtetasit Elgert Cara dhe Dorjan Cara, të cilët janë konfliktuar me shtetasin Xhevahir Lika.

Në debat e sipër, duke qenë se dy palët kanë qenë të armatosur, shtetasi Elgert Cara ka qëlluar me armë automatike, ndërsa shtetasi Dorjan Cara ka qëlluar me armë zjarri pistoletë ne drejtim të mjetit ku ishin Xhevahir Lika dhe viktima Ervis Zyba. Xhevahir Lika është kundër përgjigjur me armë zjarri pistoletë.  Nga shkëmbimi i zjarrit ka mbetur i vrarë shtetasi Ervis  Zyba, 20 vjeç, lindur dhe banues në Gjormë të Bashkisë  Kurbin. Dy vëllezërit Cara të dyshuar si autorë të kësaj ngjarje, ditën e hënë pritet të dalin para Gjykatës së Kurbinit, ku do të mësohen me masën e sigurisë që do t’u caktohet nga gjykata. Ndërkohë, grupi hetimor vazhdon hetimet për të bërë dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje, ku mbeti një person i vdekur.


cara
Dorjan dhe Elgert Cara

Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)