E tronditur dhe me lot në sy, një banore e pallatit ku ndodhi vrasja e 20-vjeçarit Joan Zuko këtë pasdite në Korçë, ka rrëfyer për Report Tv tmerrin e përjetuar nga ngjarja. Kozeta Shakla tregon ka dëgjuar krismën e kallashnikovit, plumbit të vetëm që ka vrarë të riun dhe ka dalë jashtë pa e kuptuar domethënien e zhurmës.
Fqinja në katin e tretë, pikërisht aty ku Zuko u vra, ka reaguar e alarmuar. Pamja e të riut të shtrirë në tokë dhe gjakut që i rridhte nga koka, i ka tronditur të dyja.
“Unë isha brenda në shtëpi. Më është prishur terezia. U dëgjua një zhurmë e madhe sikur pëlciti diçka. ‘Obobo’, i thashë mamit, se isha vetëm me mamin, ‘po dal të shoh ç’bëhet, se mos është rrëzuar njeri dhe që ta ndihmoja. Sa dal këtu, kur ajo gruaja e katit të tretë se te dera e saj ishte bërë, thërret ‘aman, lajmëroni policinë, ambulancën.’ Ngjitem unë me vrap, shikoj një njeri të shtrirë në tokë barkas, thashë mos ishte fëmija i saj. I them ‘çfarë po bën?’ ‘Ku di unë?’, thotë. Lajmërova policinë, ambulancën, nuk e mblidhnim dot veten. Pashë djalin atje, 2 metra djalë, të shtrirë, po i rridhte gjak nga koka. Nuk e di, pastaj erdhi policia. Ishte lemeri. Nuk e njohim fare. Nuk e njihja fare, s’është i pallatit tonë. Është tronditje e madhe, ne këtu na luajnë fëmijët. Nuk dimë ç’po bëhet. Në momentin që shkova unë, po i rridhte gjak nga koka. Nuk e harroj atë skenë”, rrëfen banorja.
Lajmi kryesor:
Vritet me armë zjarri 20-vjeçari në Korçë, shërbente te Forcat e Armatosura! Autor shoku i fëmijërisë, e ndoqi brenda një pallati! Shpallet në kërkim, 3 të shoqëruar (EMRI + FOTO)










