Rayyan Alwan, 24-vjeçarja palestineze e cila u gjet e vrarë më thikë më 27 Shkurt në një shtëpi me qira në Tiranë, mund të varroset në Shqipëri. Mësohet se asnjë nga të afërmit e saj nuk kanë kërkuar për të tërhequr trupin e pajetë pavarësisht se ata janë informuar nga oficerët e kontaktit.
Aktualisht viktima mbahet në morgun e Tiranës dhe nëse brenda afateve ligjore nuk merret nga familjarët, ajo do të varroset në kryeqytet. Autor i dyshuar i vrasjes mendohet të jetë babai i saj, Fadi Alwan, me të cilin mbërriti në aeroportin e Rinasit më datë 19 Shkurt dhe u vra tre ditë më pas.
Trupi i pajetë i të resë u gjet nga pronarja e banesës disa ditë pas ngjarjes. Fillimisht u raportua se bashkëshorti kishte vrarë gruan, por hetimet zbuluan se Rayyan Alëan u vra nga babai i saj. Fadi Alwan është aktualisht një nga personat më të kërkuar për vrasje dhe policia vazhdon kërkimet.

Hetuesit po përpiqen të kuptojnë se çfarë i solli ata në Tiranë, edhe pse dyshimet janë se babai e kishte organizuar planin për ta vrarë të bijën në një vend të huaj. Ata hynë në Shqipëri me pasaporta të rregullta greke, por në biletat e tyre të udhëtimit është gjetur një numër identifikimi dokumentesh kosovare për të dy, ndaj policia po kërkon te autoritetet në Prishtinë nëse kishin apo jo mjete identifikimi nga Kosova.
Në një pamje të fundit të tyre kur sapo mbërritën në aeroportin e Rinasit, nuk duket ndonjë sjellje që vajza të jetë sjellë me forcë, kështu që paqartësitë shtohen edhe më shumë nëse babai kishte krijuar ndonjë histori të rreme sa për ta sjellë vajzën. Babai, i cili u largua 3 ditë pasi vrau me thikë në bark të bijën, ende pa u zbuluar trupi nga pronarja e shtëpisë me qira, iku drejt Athinës me avion, më tej në Amsterdam, ndërsa së fundi policia mendon se është fshehur në Liban, por deri tani nuk është kapur.
Autoritetet gjermane kanë arritur të pyesin nënën mbi atë që mund të ketë ndodhur në Shqipëri. Sipas dëshmisë së nënës, vajza dyshohet t’i ketë treguar babait gjatë qëndrimit në Tiranë videon ku pretendohet se shfaqet nudo, dhe aty të ketë nisur një mosmarrëveshje mes tyre. Celulari i vajzës nuk është gjetur për të parë nëse kjo video ka ekzistuar apo jo, pasi mendohet ta ketë marrë me vete i ati, bashkë me pasaportën e saj.
Në Gjermani, siç autoritetet atje i kanë thënë policisë shqiptare, vajza kishte bërë një kallëzim në janar 2024 sipas së cilës, nëna, babai Fadi Alwan dhe dy vëllezërit e kërcënonin me vdekje prej disa kohësh për shkak të dëshirës së saj për një jetë të lirë dhe perëndimore, sidomos pas divorcit prej 4 vitesh nga bashkëshorti, i cili jeton në Liban me 3 fëmijët e tyre.
Xh.D/Shqiptarja.comKomente

