Policia e Shtetit ka garantuar të gjithë qytetarët se po analizojnë të gjitha detajet për shkaqet që ccuan në vrasjen e të riut 25-vjeçar Klodjan Rasha nga një efektiv policie mëngjesin e së martës.
Përmes një deklarate policia i shpreh ngushëllimet familjes së të riut, duke garantuar qytetarët se mbetet e përkushtuar dhe e angazhuar në detyrën e saj për rritjen e sigurisë publike, në mbrojtje të jetës dhe të drejtave të çdo qytetari.
"Në emër të punonjësve të Policisë së Shtetit, të prekur nga ngjarja e rëndë që ndodhi një ditë më parë në Tiranë, e cila përfundoi me vrasjen tragjike të të riut Klodjan Rasha, i shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjarëve, miqve, të afërmve dhe qytetarëve të lënduar nga ky akt.
Pas ngjarjes së ndodhur, krahas hetimeve të nisura nga organet e pavarura, për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, strukturat përgjegjëse në Policinë e Shtetit po analizojnë në mënyrë intensive të gjithë shkaqet, veprimet, mosveprimet apo faktorë të tjerë që çuan në incidentin fatal.
Policia e Shtetit garanton qytetarët se mbetet e përkushtuar dhe e angazhuar në detyrën e saj për rritjen e sigurisë publike, në mbrojtje të jetës dhe të drejtave të çdo qytetari", thuhet në deklaratën e Policisë së Shtetit.
Lajmi kryesor:
U vra nga efektivi/ Përcillet mes dhimbjesh në banesën e fundit Klodjan Rasha! Lleshaj: Të zbardhet sa më parë e vërteta! Policia e Shtetit: Jemi të gjithë të prekur, po analizojmë ngjarjen
