TIRANE - Gjykimi për vrasjen e 4 protestuesve më 21 janar 2011 në protestën e opozitës është ende në udhëkryq.

Pas vendimit të dhënë nga dhoma Penale e Gjykatës së Tiranës për lirimin e 2 gardistëve Ndrea Prendi dhe Agim Llupo, organi i akuzës apeloi vendimin në apel ku dhe u caktua treshja gjykues me Tom Ndreca, Astrit haxhialushi dhe Fatos Qato.

Dhe pse treshja gjykuese e Apelit u përcaktua 1 muaj më parë, sekretaria e gjykatës së Apelit në kryeqytet nuk do të përcaktojë një datë gjyqi.

Por sikur mos mjaftonte kjo shtyrje në kohë dhe mungesa e një date gjyqi, apelimi i 21 janarit do t’i nënshtrohet sërish përzgjedhjes së treshes gjykuese pasi një prej anëtarëve dhe pikërisht Tom Ndreca është dekretuar si anëtar i gjykatës së lartë nga Presidenti Nishani çka e detyron atë të heqë dorë nga gjykata e Apelit.

Burime nga gjykata e Apelit thanë për Shqiptarja.com se zëvëndësimi i trupit gjykues pritet të bëhet javën, që vjen ku po sipas të njëjtave burime pritet, që të vendoset dhe një datë për nisjen e gjykimit në apel të dosjes “21 janari”.


(ad.ti/shqiptarja.com)