Franca është në tension. Mijëra njerëz dolën të shtunën në rrugët e Lyon-it duke kërkuar drejtësi për Quentin Deranque, aktivistin 23-vjeçar të krahut të djathtë që humbi jetën pas një sulmi të dhunshëm në fillim të muajit. 

Deranque vdiq nga plagët në kokë pas përplasjeve mes protestuesve të majtë dhe të djathtë në Institutin e Studimeve Politike në Lyon më 12 shkurt. Vrasja e tij ka ndezur klimën politike në vend, në prag të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2027.

Gjatë marshimit, protestuesit mbanin lule dhe pankarta me mbishkrime si “Drejtësi për Quentin” dhe “E majta ekstreme vret”. Sipas autoriteteve lokale, në tubim morën pjesë rreth 3,200 persona.

Policia kishte vendosur forca të përforcuara dhe dronë mbi qytet, nga frika e përplasjeve të reja. Megjithatë, marshimi kaloi pa incidente serioze. Një person hodhi një vezë nga një ndërtesë, ndërsa një tjetër u ndalua pasi mbante me vete një thikë dhe një çekiç.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, bëri thirrje për qetësi disa orë para protestës. “Në Republikë, asnjë dhunë nuk është legjitime,” deklaroi ai, duke shtuar se qeveria do të diskutojë javën e ardhshme për grupet e dhunshme.

Por përtej protestës, çështja është bërë politike. Lyon prej vitesh konsiderohet një nga pikat më të nxehta të përplasjeve mes grupeve të djathta radikale dhe rrjeteve antifashiste. Përplasjet në rrugë mes këtyre dy kampeve janë kthyer shpesh në simbol të një polarizimi më të thellë që po rritet në Francë.

E djathta radikale, përfshirë figura pranë partisë Rassemblement National, ka përdorur vrasjen për të akuzuar të majtën për “klimë dhune” dhe për të lidhur incidentin me retorikën e partisë së majtë radikale La France Insoumise.

Nga ana tjetër, drejtues të së majtës kanë dënuar vrasjen, por kanë refuzuar të pranojnë përgjegjësi politike kolektive, duke theksuar se dhuna nuk përfaqëson asnjë krah ideologjik.

Ish-kryeministri Dominique de Villepin paralajmëroi se Franca rrezikon një “moment të tipit Charlie Kirk”, duke iu referuar rasteve kur një vrasje politike përdoret për të delegjitimuar një krah të tërë politik dhe për të forcuar narrativën e viktimizimit të së djathtës.

Ngjarja ka tërhequr edhe vëmendje ndërkombëtare. Një zyrtar i Departamentit Amerikan të Shtetit e cilësoi vrasjen si “terrorizëm”, ndërsa Macron paralajmëroi liderët e huaj të mos ndërhyjnë në çështjet e brendshme të Francës.

Hetimet vazhdojnë. Gjashtë persona janë akuzuar për sulmin fatal, ndërsa një ndihmës parlamentar i lidhur me një deputet të majtë radikal përballet me akuza për bashkëpunim. Autoritetet nuk përjashtojnë arrestime të tjera ndërsa hetimet për aktivitet ekstremist vijojnë.