Disa ditë pas ngjarjes tragjike, ku Artur Kurti u vra nga kunati i tij në banesën në të cilën jetonte bashkëshortja dhe djali 23-vjeçar, ka folur për mediat e dashura e tij 29-vjeçare e cila ka thënë se natën e krimit, Artur Kurti kishte konsumuar sasi të mëdha alkooli, por nuk kishte në asnjë moment thikë në duar.

Në një intervistë të dhënë për Dritare.net vajza tregon gjithçka rreth marrëdhënjes që ajo kishte me 50-vjeçarin dhe situatat që ata të dy kishin kaluar që nga momenti i njohjes.

Vajza me iniciale M. është 29-vjeçare dhe ka një vajzë të vogël, ndërkohë që jeton në një apartament që ka vetëm një dhomë dhe një korridor, që përdoret si kuzhinë, korridor e sallon ndenje.

Vajza thotë se ka pesë vite që bashkëjetonte me Arturin i cili, sipas saj, ishte shumë njeri i mirë dhe e kishte ndihmuar atë.

Lidhur me ngjarjen, ajo thotë se e ka marrë vesh nga media, ndërkohë që bashkë me vajzën ka shkuar tek varri i të ndjerit menjëherë pasi u varros nga familjarët duke e qarë aty.

“Pasi të gjithë ikën, unë mora një taksi dhe shkova me vajzën. E qamë të dyja dhe vumë lule mbi varrin e Turit. Pastaj erdhëm në shtëpi, edhe nuk dalim të dyja. Ku të shkojmë tani?”
 
Si jeni njohur me Arturin?
U njohëm në një lokal, unë sapo erdha nga Dibra në Tiranë. E divorcuar, me një vajzë 5 vjeç. Ai më pëlqeu dhe unë doja një njeri të kujdesej për mua dhe vajzën. Arturi ishte njeri i mirë, është kujdesur shumë për ne. Ai fliste gjithë kohën për të birin, me shumë krenari, por e donte vajzën time. Djalin e tij e kam takuar një herë, me Turin, djalë shumë i mirë. Edhe gruan ia shikoja. Të gjithë flisnin mirë për të. Por ata nuk ishin të ndarë. Unë nuk di të jenë divorcuar. Di vetëm që Arturi jetonte me nënën në shtëpi dhe gruaja jetonte me djalin.
 
Çfarë ndodhi atë natë?
Biseduam në telefon. Më tha, që ishte poshtë pallatit. E kuptova se kishte pirë. Mezi fliste. I thashë që të mos ikte se isha afër. Në fakt isha larg, por vrapova. E gjeta në një lokal të lagjes, me një raki dhe kafe para. Vetëm. Shkuam bashkë në shtëpi. Vajzën e nxora të luante me shoqet. Turi ishte keq, qante. Nuk më tha pse, por them se e kishte nga pija. Ai pinte shpesh, por nuk tregonte çfarë kishte, as ankohej kurrë. Unë gjithmonë e qetësoja. Nuk e pyesja. Dhe atë ditë e ndihmova të shtrihej në divanin këtu, i vura lecka me ujë derisa u bë më mirë.
 
Natën e krimit a kishte me vete thikën me të cilën u tha se shkoi në shtëpinë e gruas?
Unë i pashë të gjitha rrobat e tij, kur ia hoqa në divan, por nuk kishte asgjë. Kur Arturi doli për herë të fundit nga kjo shtëpi e ndoqa me sy nga ballkoni, por nuk kishte gjë në duar.
 
Dini gjë çfarë ka ndodhur atë natë?
Do i them dhe policisë , nuk kanë ardhur, por besoj do të vijnë. Do i them këto që të thashë ty. Nuk kam qenë unë shkaktarja” ka thën ajo.
Lidhur me marrëdhënjen e tyre, M thotë se, nuk ka asnjë gjë të Arturit, përveç një automjeti të cilin do ia çojë familjes.Mbase nuk duhet të qaj për burrin e një gruaje tjetër, por ai më donte dhe unë e doja shumë. Të betohem nuk më ka lënë asgjë. Nuk kam gjëra të tij, veç një makine që përdorja dhe dua ta dorëzoj në familjen e tij. Tani nuk di ç’do bëj. Ai kujdesej për mua dhe vajzën, por nuk mendoj për këtë, mendoj vetëm si iku ai. Ndërsa unë jam gjallë. Të paktën
.
 
Sa i takon shtatzanisë, që ëhstë përfolur në media, ajo e mohon, por thotë se do të bëjë ekzaminimet e duhura.
 
Menjëherë bëra testin, por nuk doli gjë. Mbase dhe jam, do e bëj prapë testin. Gjithsesi unë jam 29, dhe nuk jam 25 vjeçe dhe as pesë muaj shtatzënë. Ndoshta është një vajzë tjetër, por unë nuk e kam pyetur kurrë Turin për këto gjëra. Nuk bëja kurrë pyetje, e doja shumë, për ta pyetur. Megjithëse nuk besoj, ndoshta media e ka gabim.

Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)