Dalin detaje të reja në lidhje me vrasjen e ndodhur mbrëmjen e djeshme në Ksamil. Gramoz Memaj, me origjinë nga Tepelena, por që jetonte prej vitesh në Ksamil, është qëlluar në kohën kur po kthehej në banesën e tij.
Autorët e kanë pritur viktimën përpara shtëpisë dhe në momentin që 40 vjeçari Gramoz Mema ka parkuar automjetin dhe ka dalë për të hyrë në banesë, një prej autorëve ka dalë nga automjeti me të cilin prisnin dhe ka qëlluar me pistoletë mbi viktimën.
Më pas, autori ka hyrë në automjet dhe janë larguar. Policia nuk ka rënë ende në gjurmët e autorëve, nëse ata kanë vijuar rrugën për tu larguar me të njëjtin automjet, apo e kanë braktisur atë, e kanë djegur apo nëse e kanë zhytur në liqenin e Butrintit apo në det.
E gjithë ngjarja është fiksua nga kamerat e një hoteli përballë banesës.
Ngjarja e rëndë u regjistrua në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, ku të përfshirë në atentat dyshohet se kanë qenë katër persona. Memaj ishte biznesmen në zonë e Ksamilit, ndërsa nuk njihej si person problematik.
Policia po heton në disa pista lidhur me shkakun e vrasjes, duke përfshirë shkaqe personale, larje hesapesh dhe problemet e vjetra që mund të ketë pasur viktima.
Ekspertët e policisë në vendin ku u vra 40-vjeçari Gramoz Memaj
Viktima Gramoz Memaj
40-vjeçari Gramoz Memaj, i cili u ekzekutua mbrëmjen e djeshme, jetonte mes Ksamilit dhe Tiranës. Policia ka nisur tashmë hetimet në Ksamil, ku ndodhi ngjarja, ndërsa bëhet me dije se hetimet do të shtrihen edhe në Tiranë, në zonat ku ka jetuar viktima dhe konfliktet e mundshme që ai mund të ketë pasur. Autorët e pritën 40-vjeçarin në një para shtëpisë, ndërsa njëri prej tyre, i maskuar ka dalë nga mjeti duke qëlluar 7 herë mbi Gramoz Memaj dhe duke e lënë atë të vdekur. Ngjarja është regjistruar nga kamerat e një hoteli përballë banesës së viktimës, por nuk dihen ende detajet që përmbajnë pamjet, që mund të çojnë në zbardhjen e ngjarjes.