Në Gjykatën e Lezhës ka përfunduar seanca, ku mbrojtja ka paraqitur konkluzionet e saj për portugezin Ruben Saraiva i akuzuar si ekzekutori i biznesmenit Ardian Nikulaj në 19 prill 2023.

Avokati Kujtim Cakrani ka deklaruar për mediat se nuk ka asnjë provë që e implikojnë klientin e tij, duke shtuar se Ruben Saraiva është diskriminuar gjatë gjithë kësaj periudhe nga Drejtoria e Burgjeve, gjë që është pohuar edhe nga ana e tij sot në gjykatë.

Sipas avokatit klienti i tij ka deklaruar se po mbahet padrejtësisht në burg pasi policia dhe prokuroria e di mirë kush janë vrasësit e vërtetë. Seanca e radhës do të jetë më 25 mars, ku pritet të jepet vendimi.

“Sot ishte seanca ku kishin fjalën e kishin avokatët.Ne kemi kërkuar pafajësi sepse e kemi të bazuar në prova. Edhe Saraiva teksa foli për rreth 20 minuta kërkoi pafajsësi, ai kërkoi që të gjenden kush janë autorët. Ne besojmë te një vendim i drejtë i Gjykatës. Ruben ka denoncuar diskriminimin që po i bëhet në paraburgim për 2 vite. Ai vazhdon të jetë në izolim total. Nuk ka asnjë provë që Ruben Saraiva të identifikohet si vrasës. Ne nuk mund t'i japim drejtësisë një të pafajshëm. Gjykata kur të tërhiqet për vendim të shikojë mirë dosjen hetimore”, tha Cakrani një prononcim për mediat.

Më 3 mars Prokuroria e Lezhës dha pretencën, duke kërkuar dënimin me burgim të përjetshëm për shtetasin portugez.

Sipas dosjes hetimore, Saraiva akuzohet për veprën penale “Vrasje e kryer për interes ose hakmarrje”, si dhe për “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”,

Ngjarja ndodhi brenda hotelit të Nikulajt në Shëngjin ‘Coral’. Biznesmeni ishte ulur në lokalin e hotelit kur u afrua portugezi me skafandër në kokë duke e qëlluar për vdekje.

Sipas prokurorisë vrasja e Nikulajt dyshohet se u porosit nga Edmond Haxhia i cili jeton në Britaninë e Madhe, për motive gjakmarrje. Të përfshirë si ndihmës edhe 4 shtetas britanikë.

Vrasja e biznesmenit Ardian Nikulaj ishte vijim i zinxhirit të hakmarrjes që familja e viktimës kanë me fisin Lekstakaj, konflikt i nisur në 1997 duke shkaktuar bilanc me shumë viktima mes dy fiseve.

___________

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë