Gjykata e Lezhës ka dënuar me burg përjetë portugezin Ruben Saraiva, akuzuar si ekzekutori i biznesmenit Ardian Nikulaj në 19 prill 2023. Seanca gjyqësore u mbajt nën masa të rrepta sigurie, ndërsa të pranishëm ishin edhe familjar të viktimës.

Avokati mbrojtës Kujtim Cakrani tha se sot Gjykata e Lezhës ka dënuar një njeri të pafajshëm duke theksuar se do të apelojnë vendimin e dhënë.

“Ishte një vendim që e prisnim për shumë arsye, një nga arsyet është si shkoi kjo çështje që momentin e hetimeve paraprake edhe gjatë gjykimit Gjykata e Lezhës nuk pranoi kërkesat tona që më shumë ishin proceduriale. Gjykata e Lezhës ka dënuar një të pafajshëm sepse nuk gjendet një provë që të implikojë në vrasje Ruben Saraivën. Do ta apelojmë këtë vendim, ata kanë dënuar një njeri që ka qenë në Shqipëri për punët e veta, por për vendin të gabuar ka marrë një vendim fajësi. 

Kjo çështje është reklamuar dhe është bërë një gjyq popullor. Shpresojmë që Gjykata e Apelit të veprojë ndryshe. Do të shohim edhe shkeljet proceduriale që janë shkelur: e para është përkthimi në gjuhën portugeze dhe provat që janë marrë në kundërshtim me ligjin në shantazhin si të Prokurorisë dhe policisë Gjyqësore ashtu edhe Gjykata që nuk i ka pranuar personat kyç që kishin në dijei të dëshmonin. Saraiva më tha se është i qetë pasi nuk është ai autor i vrasjes", tha Cakrani.

Saraiva gjatë seancave të mëparshme gjyqësore ka mohuar se ka kryer krimin duke deklaruar se ‘E dini shumë mirë kush janë vrasësit e biznesmenit Ardian Nikulaj në Shëngjin dhe unë nuk kam asnjë lidhje me këtë ngjarje’.

Sipas dosjes hetimore, Saraiva akuzohet për veprën penale “Vrasje e kryer për interes ose hakmarrje”, si dhe për “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

Kur ndodhi ngjarja?

Ngjarja ndodhi brenda hotelit të Nikulajt në Shëngjin ‘Coral’. Biznesmeni ishte ulur në lokalin e hotelit kur një person i kamufluar me veshje të një efektivi policie, me skafandër dhe maskë mjekësore në fytyrë iu afrua duke e qëlluar për vdekje. Sipas Prokurorisë vrasja e Nikulajt dyshohet se u porosit nga Edmond Haxhia i cili jeton në Britaninë e Madhe, për motive gjakmarrje.

Të përfshirë si ndihmës edhe 4 shtetas britanikë Thomas Mithan, Steven Hunt, Harry Simpson dhe Harriet Bridgeman. Pas ngjarjes Ruben Saraiva arriti të largohej jashtë vendit, për t’u arrestuar në Marok. Saraiva u ekstradua në Shqipëri me 31 dhjetor të vitit 2023.

Vrasja e biznesmenit Ardian Nikulaj ishte vijim i zinxhirit të hakmarrjes që familja e viktimës kanë me fisin Lekstakaj, konflikt i nisur në 1997 duke shkaktuar bilanc me shumë viktima mes dy fiseve.

___________

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:29
“I trajtoi si miq britanikët në hotelin e tij”- Familja e Ardian Nikulajt reagon pas dënimit me burgim të përjetshëm të vrasësit të tij: Të dalin para drejtësisë urdhëruesit e krimit

1774467023_xftjuuu.jpg

Pas dhënies të vendimit nga gjykata Lezhë për burgim të përjetshëm për Ruben Saraivën, vjen reagimi i parë nga familja e Ardian Nikulajt.

Familja e biznesmenit të vrarë në barin e hotelit të tij në Shëngjin, deklaron se ata kishin kohë që e prisnim këtë vendim dhe e shikojnë si një hap përpara në bërjen drejtësi për Ardianin.

“Barbaria e ekzekutimit me gjashtë plumba të Ardianit nga i dënuari drejtësisë shqiptare sot Ruben Saraiva, është një plagë që nuk do të mbyllet kurrë posaçërisht për fëmijët e Ardianit që po rriten pa ngrohtësinë e babait të tyre. Pavarësisht vendimit të sotëm për Ruben Saraivën ne vijojmë të jemi të lënduar nga fakti se Ardiani i trajtojë si miq që të gjithë britanikët ardhur në hotelin e tij, por në fakt ata kishin ardhur me qëllim për ta survejuar e të vritej më pas nga bashkëpunëtori i tyre Ruben Saraiva”, shprehet familja.

Familja e Ardian Nikulajt shpreh shqetësimin se ende përpara drejtësisë shqiptare nuk ndodhen britanikët të cilët erdhën me mision për ta vëzhguar të afërmin e tyre e kaluar informacionin tek ekzekutori.

“Ne u jemi falënderues oficerëve të policisë Lezhë që hetuan vrasjen, zyrës së Interpol Tiranës të cilët bënë gjithçka për ekstradimin nga Maroku të Ruben Saraivës, përfshi prokurorët e çështjes për çuarjen përpara drejtësisë të Ruben Saraivës por jemi të shqetësuar, nga vonesa në ekstradimin e të pesë të arrestuarve në Angli prej vitit 2023, si të përfshirë në vrasjen e Ardianit. Në të njëjtën kohë nuk do të ketë drejtësi të plotë për Ardianin dhe qetësi për familjen Nikulaj, nëse nuk zbulohen dhe dalin përpara drejtësisë, urdhëruesit dhe financuesit e vrasjes”, thanë ata.

Deri më tani  hetimet e prokurorëve të Lezhës, kanë ngritur një pistë se kush mund të jenë, porositësit dhe financuesit e vrasjes të Ardian Nikulajt por nuk kanë mundur ende ta provojnë përmes provave./ Top Channel