Gjykata e Lezhës ka vendosur masën e sigurisë “arrest në shtëpi” për 32-vjeçarin Fatjon Rrika, i cili u arrestua si i dyshuar për vendosjen e lëndës plasëse në automjetin e agjentit të krimeve, Gentjan Gjeta.

Ngjarja ndodhi të dielën në lagjen “Besëlidhja” të qytetit të Lezhës, ku shpërthimi shkaktoi dëme materiale. Aty pranë nuk kishte kamera sigurie, por hetuesit zgjeruan rrezen e vëzhgimit dhe përmes këqyrjes me detaje të disa kamerave të bizneseve, u pa një motor i dyshimtë që lëviz në zonë para dhe pasi automjeti i agjentit u shkatërrua me lëndë plasëse. 

Pasi u identifikua nga policia, Rrika u arrestua në fshatin Zhejë të Kurbinit teksa drejtonte të njëjtin motor, të cilin dyshohet se e kishte edhe ditën e kryerjes së krimit. 

Burime bëjnë me dije se, ashtu si gjatë momentit të arrestimit, edhe gjatë seancës gjyqësore, 32-vjeçari nuk ka pranuar të ketë lidhje me këtë ngjarje.

Deri më tani, grupi hetimor dyshon se ai mund të jetë paguar nga persona të tjerë për të vendosur lëndën plasëse në makinën e agjentit të policisë.

Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave vijojnë për të identifikuar një person i cili dyshohet se ka bashkëpunuar me 32-vjeçarin Fatjon Rrika, për të shpërthyer me tritol makinën në pronësi të agjentit të krimeve. Në motor me të dyshuarin kamerat pikasin edhe një person të dytë, i cili ende nuk është identifikuar.

Sipas policisë, Fatjon Rrika është me precedentë penalë në Itali për vjedhje me armë.

Në gjendje të lirë, policia nisi hetimin ndaj babait 66-vjeçar të të dyshuarit, pasi në banesën e tyre u gjet një armë gjahu që posedohej pa leje.

-------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.