FIER - Vazhdojnë kërkimet për arrestimin e autorëve të vrasjes së biznesmenit Naim Suli mbrëmjen e shtunë pranë banesës së tij në lagjen “Liri” të qytetit të Fierit. Dje në mbrëmje, 24 orë pas vrasjes, policia identifikoi si autorë të krimit, Gëzim Sulon 49 vjeç dhe dy djemtë e tij Ervis dhe Endri Sulo, përkatësisht 22 dhe 20 vjeç. Ata janë pronarë të një servisi makinash, pranë vilës 3 katëshe, ku Suli jetonte së bashku me familjet e 2 vëllezërve të tij.

Policia ka vendosur një shpërblim prej 500 mijë lekësh për këdo që informon për vendndodhjen e tre pjestarëve të familjes Sulo nga Fieri, dhe vë në dispozicion numrin e telefonit 0694107329. Zyrtarisht ende nuk janë bërë të ditur motivet e vrasjes së 46 vjeçarit, ndërsa një pistë hetimi është ajo e një konflikti pronësisë.

VRASJA

Pronari i një pike karburanti në Patos, Naim Suli, u ekzekutua rreth orës 21:00 të 10 nëntorit, para derës së vilës së tij, e cila ndodhet në lagjen ku ndodhet dhe godina e komisariatit numër 2 në Fier. 46-vjeçari u qëllua në momentin kur ka zbritur nga makina e tij me targë FR 7835 C.

Që në fillim policia tha se të dyshuar për krimin ishin pronarët e një servisi makinash që ndodhet ngjitur me vilën e vëllezërve Sulo. Sipas të dhënave të korrespondentit të A1 Report, para derës së shtëpisë ishin gjetur disa gëzhoja automatiku dhe pistolete, të cilat lënë hijen e dyshimit se në atentat mund të kenë marrë pjesë më shumë se një person.

(sg/shqiptarja.com)