Në foto, motori i djegur i autorit

Gjatë orëve të paradites, Policia e Tiranës ka gjetur motoçikletën dhe armën me të cilën dyshohet se është larguar nga vendi i ngjarjes autori i vrasjes së Bujar Nasufit.

Motoçikleta është gjetur e shkrumbuar në zonën 'Kodrat e Sharrës', ndërsa është dërguar për ekspertizë, me shpresën se mund të gjenden prova. Pranë saj edhe arma e krimit, po e djegur. Gjithsesi, për shkak të flakëve, shpresat janë të pakta, informon gazetari Sokol Dema.

Gjatë kontrollit në afërsi të vendit ku u dogj motori, hetuesit shpjeguan se kanë gjetur edhe armën e zjarrit të vrasjes së Nasufit, një automatik i shkurtër. Autori ka djegur dhe armën e zjarrit, e cila është dërguar gjithashtu në laborator për ekspertizë.

Bujar Nasufi, pronar mobilierie, u ekzekutua mbrëmjen e djeshme teksa po hynte në shtëpinë e  tij në zonën e Pallatit me Shigjeta. Deri më tani pista ku dyshohet për vrasjen, është konflikti brenda farefisit për çështje pronash.


Lajmi kryesor:

Atentati në Tiranë/ Motori dhe arma e autorit gjenden të djegura te ‘Kodrat e Sharrës’! Pronari i mobilierisë u vra në sy të gruas, dyshohet konflikt pronësie