Vrasja e Kristjan Breshanaj që tronditi Vlorën kur po agonte dita e Fitër Bajramit, vijon të jetë e paqartë për policinë dhe prokurorinë e Vlorës. Po mbushen 48 orë nga ndodhja e ngjarjes, oficerët e policisë kanë shumë dyshime të paqarta, mbi mënyrën dhe shkaqet e ndodhjes së këtij krimi të rëndë. Breshanaj, kishte vetëm tre muaj që qëndronte në Vlorë, pasi ishte deportuar nga Belgjika.

Padyshim marrja e informacioneve nga policia belge, do të ndihmonte policinë e Vlorës të qartësonte hetimet dhe dyshimet mbi rrethanat dhe shkaqet e kësaj vrasjeje. I riu nuk ishte i skeduar ndonjëherë nga policia e Vlorës për ndonjë ngjarje, dhe kjo e bën akoma më të vështirë ngritjen e një piste konkrete për të verifikuar se kush mund ti ketë shtyrë autorët, për të kryer këtë vrasje mafioze në qytetin e Vlorës. Anëtarë të grupit të hetimit thanë në kushte anonimati se Breshanaj, mund të jetë ekzekutuar nga anëtarët e një grupi në Vlorë, të cilët besohet se kanë dyshuar se ai ishte informator i një grupi kriminal në Vlorë. Pas kthimit nga Belgjika, Breshanaj shpeshherë qëndronte në disa kafene, që ndodhet shumë afër një kompleksi banimi në zonën e “Ujit të Ftohtë” në Vlorë.

Pikërisht në këtë kompleks është zona e influencës së një grupi kriminal në qytetin e Vlorës dhe nisur nga këto rrethana policia ka ngritur dyshime të bazuara në informacione operative, se anëtarët e grupit kriminal, mund të kenë dyshuar se prania e shpeshtë në këtë zonë e Breshanaj, çonte prej tij informacione tek krahu tjetër kundërshtar.

Ngatërresa, thonë burimet policore mund të ketë ndodhur për shkak edhe të mankthit të anëtarëve të grupit, se rivalët mund t'i godasin me një atentat të mundshëm. Ky mund të jetë shkaku që anëtarët e grupit ta survejojnë dhe ekzekutojnë shumë pranë shtëpisë, në një atentat mafioz dhe pa shumë zhurmë, Kristjan Breshanaj. Ky i fundit është qëlluar me 4 plumba në trup, nga një kallashnikov me silenciator, ndërkohë autorët janë larguar duke braktisur automjetin BMË të djegur. Breshanaj, ishte djali i një familje të rregullt në qytetin bregdetar dhe babai i tij, Edmondi është doktor në spitalin e Vlorës.