Në seancën e radhës gjyqësore për procesin “Plumbi i Artë”, dëshmoi Henrik Hoxhaj, të cilit iu hoq statusi i bashkëpunëtorit të drejtësisë nga SPAK pas dëshmive jo të vërteta.

Ai tha se me të penduarin e drejtësisë Nuredin Dumani është njohur në ditëlindjen e Festim Qolit në vitin 2020, ky i fundit në kërkim për vrasjen e Elvis Dedajt dhe më pas nënës së tij Fatmirës, pasi e ndjera kërkonte drejtësi për të birin.

"Njihem me Nuredin Dumanin. Jam njohur tek ditëlindja e Festim Qolit në vitin 2020. Aty jemi njohur, duke ngrënë, duke pirë. Kemi shkëmbyer numrat.", tha Hoxhaj.

Hoxhaj tregoi në seancë se disa muaj më vonë, në periudhën e pandemisë Covid, Dumani i shkroi nga një telefon i koduar për t'u takuar. Aty, tregon se ka marrë ofertën për të vrarë Dorian Shkozën në Durrës për 70 mijë euro, me porosi të Erjon Alibejt, i arrestuar për një sërë vrasjesh, gjithashtu sot me status të penduari.

"Disa muaj më vonë u takuam. Nuredini ishte i interesuar për të më takuar. Nuk e mbaj mend, por më duket se kemi komunikuar me telefonë të enkriptuar. Kemi biseduar për disa vrasje. Ai kishte marrë porosi nga Krymi. Më tha që janë disa punë për t’u bërë, a je i interesuar. Unë i thashë po. Nuredini më tha për dy vrasje që do bëhëshin në Durrës. Në fillim ishte si porosi e Krymit, por pastaj i paraqiti si problematika të tij. Tha, a je dakord në fillim. Po dakord, i thashë. Në këtë takim diskutuam për vrasjen e Dorian Shkozës. Do kryhej kundrejt pagesës. Në fillim propozoi 70 mijë euro.  Ai gjeti mjetet dhe armët. Shofer ishte Elio Bitri, nga Elbasani.", deklaroi Hoxhaj.

Atentati është koordinuar në shtëpinë e Nuredin Dumanit në Durrës, tregoi Hoxhaj, duke shtuar se vrasjen e Dorian Shkozës në mars 2020, e realizoi bashkë me Elio Bitrin, aty ku plumbat vranë edhe Anxhelo Avdinë.

"Si kohë, ishte pak pas takimit, në pandemi. Nuk kishim leje, por ishim sipas rregullave, me rrip, me rregulla qarkullimi. Ditën e ngjarjes kam shkuar në Durrës. U takova tek shtëpia e Nuredinit në Durrës. Nga aty u nisëm. Kemi përdorur një makinë të zezë. Ishte Elio në timon, unë mbrapa shoferit. Kisha unë dy armë, Elio një. Nuredini u nis me ne. Ne kemi dalë një xhiro tek servisi. Kur kaluam atëherë nuk ishte prezent. Kur u kthyem ishte aty. Ishte me dy persona i shoqëruar. Elio më thotë, ja ku janë. Ishin 3 vetë në trotuar. Unë i qëllova me armë nga brenda makinës. Një armë m’u bllokua, përdora tjetrën. Njëri nga ata ngeli në vend. Doriani u rrëzua pak më tutje. Unë i thashë, a ti je Doriani. Ai tha jo. Pyeta Elion, a ky është. Po më tha ai. Edhe e godita. Një e goditi edhe Elio. Pati një pistoletë me mulli.

Pas vrasjes hipa në makinë. Në ikje e sipër, i thashë, mua më lër tek Plepat, ku kisha lënë një makinë. Unë hipa tek ajo me duar në xhepa. Ndërsa makina tjetër iku u dogj tek Bishti i Zhurit. Nuredini ka qenë pas nesh dhe e ka parë ngjarjen. Më tha, o kusho doli shumë mirë. Pagesën e mora për ngjarjen. Por ajo 70-shja u nda mes meje e Elios. 35 mora. Nuk e di sa i dha Elios. Pas kësaj vrasjeje kam jetuar në Tiranë. Nuk fshihesha. Lekët Nuredini më tha se i merrte nga krymi.", deklaroi Hoxhaj.

Një vrasje tjetër, atë të vëllëzërve Haxhia në Durrës, një muaj më vonë, në prill të 2020-ës, Henrik Hoxhaj thotë se mori sërish 35 mijë euro, dhe e realizoi me Nuredin Dumanin.

“Nuredini kishte veshur uniform të OFL-së dhe një maskë silikoni. Ai zbriti nga makina t’i qëllonte nga afër, por iu bllokua arma. Pastaj u detyrova unë të zbrisja me kallash dhe qëllova disa herë pastaj ikëm në Tiranë”, tregoi ai.

Për këtë krim, u arrestua shoferi që i shoqëronte për të bërë atentatin, dhe këtu Henrik Hoxhaj, flet për herë të parë përse në dëshmitë si i penduar i drejtësisë, përfshiu emrin e Altin Ndocit në këtë ngjarje, të arratisurit të rrezikshëm nga spitali i Durrësit këtë janar, që ende nuk është kapur.

“Shoferi i arrestuar foli dhe lidhi Talo Çelën dhe Altin Ndocin me ngjarjen, edhe u çudita, por më pas bëra lidhjen që ishte instruktuar të thoshte ashtu”, tha Hoxhaj.

Henrik Hoxhaj ritheksoi në dëshmi edhe planin për të vrarë Altin Ndocin në varrimin e vëllezërve Haxhia të cilët ai i kishte miq, krim që nuk u realizua. I arratisuri nga Durrësi, sipas të penduarit Erjon Alibej ka qenë në grupin e vrasësve në masakrën e Bradasheshit me 3 të vrarë, ku ai humbi vëllanë, krim që dyshohet se është porositur nga Çopjat.