DURRËS- Më shumë se një vit pasi Prokuroria e Durrësit sekuestroi 2800 tonë mbetje të rrezikshme të kompanisë ‘Kurum’, organi i akuzës ka lëshuar 33 urdhërarreste, pasi hetimet zbuluan shkelje të legjislacionit mjedisor nga Kurum, kompania “Sokolaj” që bleu mbetjet, por edhe nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit dhe Dogana e Durrësit. Operacioni për ekzekutimin e masave është shtrirë në 3 qytete, Tiranë, Durrës dhe Elbasan dhe bëhet fjalë për 26 masa arrest me burg dhe 7 arrest në shtëpi.

Organi i akuzës ka lëshuar masën arrest me burg për Erdal Demir, administratori i ‘Kurum International’ i akuzuar për “Kontrabanda me mallra të ndaluara ose të kufizuara” në 4 raste, “transporti i mbetjeve”, “Menaxhimi i mbetjeve”, “Falsifikimi i dokumenteve” ne 2 raste dhe “Pastrimi i produkteve të veprimtarisë kriminale”, si edhe Yusuf Sezai Kurum, administrator me prokurë i “Kurum”, i akuzuar për ”Menxhimi i mbetjeve”, “Pastrimi i produkteve të veprimtarisë kriminale”.

Po ashtu, masa arrest me burg është lëshuar edhe për pronaren e kompanisë Sokolaj, Gjovana Sokolaj, e cila i kishte blerë mbetjet nga Kurum për t’i dërguar drejt Tajlandës, Doni Sokolaj administrator i D.o.o Minerals, dhe Olizana Pemati, ish-administratore e kompanisë 'Sokolaj'.

Masat e sigurisë kanë prekur edhe zyrtarë të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit dhe të Doganës së Durrësit si dhe punonjësit e disa kompanive të tjera të akuzuara për shkelje të legjislacionit mbi trajtimin e mbetjeve. Arrest shtëpie është caktuar për drejtoreshën aktuale AKM-së, Marjeta Përlala, si edhe për ish-drejtoreshën Arta Dollani.

Dy ngarkesat, një me 2.000 tonë dhe tjetra 800 tonë, që kishin destinacion Tajlandën, u kthyen në nëntor 2024 në vendin tonë pasi organizata mjedisore “Basel Action Network” ngriti alarmin se brenda tyre mund të fshiheshin tonelata me mbetje të rrezikshme. 

Sipas rezultateve të ekspertimit të kryer në Itali, mbetjet i përkasin kategorisë së pluhurit të furrës elektrike me qark – EAFD; të klasifikuara si të rrezikshme nga legjislacioni shqiptar dhe ai ndërkombëtar dhe me përmbajtje shumë të lartë të zinkut dhe hekurit, të shoqëruara me plumb, bakër, mangan, kalium, kalcium dhe squfur.

Masat e sigurisë
Arrest me burg
Erdal Demir - Administratori i “Kurum International” – “Kontrabanda me mallra të ndaluara ose të kufizuara” në 4 raste, “transporti i mbetjeve”, “Menaxhimi i mbetjeve”, “Falsifikimi i dokumentave” ne 2 raste dhe “Pastrimi i produkteve të veprimtarisë kriminale”.
Yusuf Sezai Kurum - Administrator me prokurë i “Kurum” – “”Menxhimi i mbetjeve”, “Pastrimi i produkteve të veprimtarisë kriminale”
Gjovana Sokolaj - Pronare e kompanisë “Sokolaj” – “Kontrabanda me mallra të ndaluara ose të kufizuara” në 4 raste, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Pastrimi i produkteve të veprimtarisë kriminale”.
Doni Sokolaj - Administrator i kompanisë D.o.o Minerals – “Kontrabanda me mallra të ndaluara ose të kufizuara”, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Pastrimi i produkteve të veprimtarisë kriminale”.
Olizana Pemati - Ish- administratore e kompanisë “Sokolaj” - “Kontrabanda me mallra të ndaluara ose të kufizuara”, “Pastrimi i produkteve të veprimtarisë kriminale”.
Mujo Ilazaj - Drejtori i Transportit në kompaninë “Kurum” – “Transporti i mbetjeve”.
Rami Bunga - Specialist pranë zyrës së mjedisit në “Kurum” – “Kontrabanda me mallra të ndaluar ose të kufizuara” dhe “Menaxhimi i mbetjeve”.
Harun Sarica - Drejtori i prodhimit të çelikut në “Kurum” – “Menaxhimi i mbetjeve”
Arif Shkalla - Drejtues në kompaninë “Kurum” – “Kontrabanda me mallra të ndaluara ose të kufizuara”, “Menaxhimi i mbetjeve”, “Falsifikimi i dokumentave” dhe “Pastrimi i produkteve të veprimtarisë kriminale”.
Shaban Hyseni - Drejtor i departamentit te shitjeve në “Kurum” - “Kontrabanda me mallra të ndaluara ose të kufizuara” dhe “Menaxhimi i mbetjeve”.
Mikail Hila - Aksioner i agjencisë doganore “Joti Spedition” – “Kontrabanda nga punonjës që lidhen me veprimtarinë doganore”.
Mbarime Koroci - Aksionere e kompanisë “Alliance Resource” – “Menaxhimi i mbetjeve” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Nazif Bajrami - Pronar i kompanisë “Bajrami N” – “Menaxhimi i mbetjeve”.
Andon Prifti - Administrator i kompanisë “Bajrami N” – “”Menaxhimi i mbetjeve”.
Petrit Qosja - Person fizik në tregtinë e mbetjeve – “Menaxhimi i mbetjeve”.
Indrit Likaj - Dega e Doganës Durrës – “Kontrabanda nga punonjës që lidhen me veprimtarinë doganore”.
Helidon Lila - Dega e Doganës Durrës - “Kontrabanda nga punonjës që lidhen me veprimtarinë doganore”.
Edmond Voda - Dega e Doganës Durrës – “Kontrabanda nga punonjës që lidhen me veprimtarinë doganore”.
Shkëlqim Jakupi - Dega e Doganës Durrës - “Kontrabanda nga punonjës që lidhen me veprimtarinë doganore”.
Florian Çimo  - Administrator i kompanisë koncesionare EMS APO – “Menaxhimi i mbetjeve”.
Gazmend Sina - Punonjës i kompanisë koncesionare EMS APO - “Menaxhimi i mbetjeve”.
Ingo Hesse - administrator i kompanisë EMS APO - “Menaxhimi i mbetjeve”.
Dritan Seferaj - Drejtoria e Inspektim- Kontrollit, AKM – “”Shpërdorimi  i detyrës”.
Xhulio Golgota - Inspektor i Autoritetit Portual Durrës – “Shpërdorimi i detyrës”.
J.K   arrest me burg
K.M   arrest me burg
Arrest shtëpie
Mirjeta Zotaj - Kontabiliste e kompanisë “Sokolaj” ” – “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Pastrimi i produkteve të veprimtarisë kriminale”.
Kledina Skendo - Sektori i monitorimit të lejeve mjedisore, AKM – “Shpërdorimi i detyrës”.
Evis Mellonashi - Sektori i lejeve mjedisore, AKM – “Shpërdorimi i detyrës”
Iva Musa - Inspektore e Autoritetit Portual Durrës - “Shpërdorimi i detyrës”
Marjeta Përlala - Drejtoresha aktuale e AKM - “Shpërdorimi i detyrës”.
Arta Dollani - Ish- drejtoresha e Përgjithshme e AKM - “Shpërdorimi i detyrës”.
B.T  arrest shtëpiak

Lajmi në përditësim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:42
SKEDA/ Odiseja disa mujore e 2800 tonë mbetjeve të Kurum, u nisën drejt Tajlandës dhe përfunduan sërish në Durrës

1770133538_vendikumbahenkorumportoromano.jpg

Vendi ku mbahen mbetjet e Korum në 'Porto Romano'

102 kontejnerët me 2800 tonë mbetje që kishin destinacion Tajlandën, u kthyen në nëntor 2024 në vendin tonë pasi organizata mjedisore “Basel Action Netëork” ngriti alarmin se brenda tyre mund të fshiheshin tonelata me mbetje të rrezikshme.

Ngarkesa u nis në muajin korrik 2024 nga porti shqiptar, si pjesë e një marrëveshjeje eksporti të kompanisë shqiptare “Sokolaj”, e cila i kishte blerë mbetjet nga kompania Kurum, prodhuese e çelikut dhe hekurit, në mjediset e ish kombinatit metalurgjik në Elbasan. Destinacioni i saj ishte Tajlanda, e cila i refuzoi kontenierët pas alarmit të dhënë nga organizata joqeveritare ‘Rrjeti i Aksionit të Bazelit’ (BAN) me seli në Seattle të Shteteve të Bashkuara, pas një sinjalizimi që ajo kishte marrë nga Shqipëria.

Sipas kësaj organizate, dyshohej se bëhej fjalë për pluhur helmues, që del nga oxhaqet e fabrikave metalurgjike, më përmbajtje të lartë metalesh si plumbi dhe kromi dhe mbetje të tjera kimike që shkaktojnë kancer.

Kontejnerët u ngarkuan në portin e Durrësit, pasi mbetjet kishin qëndruar më parë në një mjedis të hapur. Eksporti i tyre u krye nga kompania shqiptare Sokolaj, e cila në deklaratat doganore dhe dokumentacionin shoqërues dorëzuar autoriteteve nuk ka njoftuar se bëhet fjalë për mbetje, aq më tepër të rrezikshme, siç dhe janë ngritur dyshimet.

Në muajin gusht, pas alarmit të dhënë nga BAN, ngarkesa mori rrugën e kthimit për në Shqipëri. Në atë kohë ministria shqiptare e Infrastrukturës dhe ajo e Mjedisit, dolën me një qëndrim të përbashkët ku theksonin se “Shqipëria nuk mund të pranojë a priori rikthimin e ngarkesave të tilla, aq më tepër vetëm mbi bazën e dyshimeve e të spekullimeve, pa realizimin e analizave shteruese dhe provave ligjore të besueshme dhe të verifikueshme”.

Por në të kundërt, Prokuroria e Durrësit, më 27 tetor 2024, një ditë përpara se anija të shfaqej pranë portit të Durrësit, urdhëroi sekuestrimin. Për këtë rast, në hetime u përfshi dhe zyra e Bashkimit Evropian kundër Mashtrimeve, OLAF, në Bruksel. Që prej kthimit, mbetjet mbahen ende në Porto Romano. 

1770133972_transportimiimbetjevetekorumneportoromano.jpg

Transportimi i mbetjeve të Korum në 'Porto Romano'
Ora 16:28
Operacioni për mbetjet/ Kurum në Shqipëri prej vitit 2009, ushtron aktivitetin në Uzinat e Prodhimit të Çelikut në Elbasan

Kürüm International është kompani Turke e vendosur në Shqipëri dhe është e specializuar në prodhimin e hekur-çeliqeve. Kürüm International është pjesë e Kürüm Holding në Turqi. Kürüm International vepron në ambientet e privatizuara të Uzinave të Prodhimit të Hekur-Çeliqeve në Elbasan që prej vitit 2009.

Uzinat e Prodhimit të Çelikut Elbasan të cilat kanë një kapacitet të gjerë shtrihen në një kompleks me sipërfaqe totale 219.410 m2 të përbërë nga një uzinë çeliku, tre uzina petëzimi dhe një hapësirë pjesërisht të mbyllur prej 88.410 m2 . Sot kompleksi me kapacitet prodhimi 700.000 ton të hekurit për ndërtim të petëzuar në të nxehtë dhe 510.000 ton prodhim çeliku të lëngshëm.