Report Tv ka siguruar foton e ‘Porsche’ që dyshohet të jetë makina Armand Shakaj (Mand Dhelpra) ka përdorur për të transportuar dhe më pas për të zhdukur trupin e 34-vjeçarit Eglant Koçi, i cili rezulton i humbur që në fillim të qershorit.
Armand Shakaj, i shpallur në kërkim si autor të dyshuar për zhdukjen e 34-vjeçarit, dyshohet se ka përdorur një karrotrec për të transportuar automjetin e tij, brenda të cilit mendohet se ndodhej edhe trupi i 34-vjeçarit, drejt zonës së Ibës.
Sipas hetuesve, kjo manovër është kryer për t’iu shmangur kontrolleve rutinë të policisë dhe për të mos ngjallur dyshime gjatë lëvizjes së automjetit. Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur më 6 qershor.
Nga verifikimet e kamerave të sigurisë rezulton se trupi i Koçit mund të jetë mbajtur në automjet për rreth një ditë e gjysmë, pasi kontaktet e fundit të tij me familjarët datojnë më 4 qershor.
41-vjeçari dhe Eglant Koçi ishin miq me njëri-tjetrin, dhe deri më tani besohet që të jenë konfliktuar për kriptovalutat, por kjo është një pistë ende e pakonfirmuar.
Grupi hetimor është në pritje të rezultateve të ekspertizës laboratorike, e cila pritet të hedhë më shumë dritë mbi rrethanat e ngjarjes. Ndërkohë policia po zhvillon kërkime intensive për gjetjen e trupit të Eglant Koçit në zonat përreth Tiranës, Elbasanit dhe Librazhdit.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë









