Trupi i 34-vjeçarit Eglant Koçi po kërkohet nga një strukturë e posaçme e Krimeve të Rënda. Në një konferencë për shtyp ku u prezantua bilanci i muajit maj, policia e Tiranës bëri me dije se kërkimet janë përqendruar kryesisht në rrethinat e Tiranës, ndërsa në ndihmë kanë ardhur edhe Forcat e Sigurisë së Kosovës.

“Ndërsa për zhdukjen e Englant Koçit, ngjarje goxha sensitive, nga ana jonë është ngritur një grup i posaçëm hetimor. Indicia është marrë nga familjarët e të dyshuarit, të humburit. Hetimi po ndiqet nga Struktura e Krimeve të Rënda. Është një strukturë e posaçme që po kërkon trupin e tij, kërkimet janë përqendruar kryesisht në rrethinat e Tiranës, mes kufirit ndarës të Elbasanit të Shtetit. Krahas forcave tona, na ka ardhur në ndihmë edhe nga FSK-ja. Vijon kërkimi, deri tani nuk kemi një rezultat konkret. Janë kontrolluar shumë zona që kishim dyshimet tona, nuk kemi ndonjë rezultat”, tha drejtori i Policisë, Oliger Torba.

Armand Shakaj, i shpallur në kërkim si autor i dyshuar, mendohet se ka përdorur një karrotrec për të transportuar automjetin e tij, brenda të cilit mendohet se ndodhej edhe trupi i 34-vjeçarit, drejt zonës së Ibës.

Sipas hetuesve, kjo manovër është kryer për t’iu shmangur kontrolleve rutinë të policisë dhe për të mos ngjallur dyshime gjatë lëvizjes së automjetit. 

Burime të sigurta bëjnë me dije se 41-vjeçari ka ndryshuar të paktën gjashtë numra telefoni gjatë ditëve të fundit, në një përpjekje të vazhdueshme për të shmangur lokalizimin nga strukturat ligjzbatuese.

Lajm në përditësim…

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:27
Bilanci i policisë për muajin maj: 6 automjete të sekuestruara, vlera nga 50 deri në 500 mijë euro

Në prezantimin e bilancit të plotë për muajin maj, policia e Tiranës njoftoi se janë sekuestruar 6 automjete të vjedhura jashtë shtetit, me vlerë nga 50 mijë deri në 500 mijë euro.

“Janë zhvilluar 6 faza të operacionit të koduar “Stolen Line”, me objektiv goditjen e rasteve të trafikimit në Shqipëri të automjeteve të vjedhura jashtë shtetit, ku janë sekuestruar 6 automjete me vlerë nga 50.000 deri në 500.000 euro. Për këto raste janë proceduar 6 shtetas.”

Sipas bilancit, në maj janë evidentuar 1436 vepra penale dhe janë zbuluar 1331 prej tyre. 1376 autorë janë identifikuar, nga të cilët 247 janë arrestuar ose ndaluar, 1055 janë nën hetim dhe 60 janë shpallur në kërkim. Në total, janë finalizuar 58 operacione policore.

Ora 11:06
Falsifikonin dokumente identifikimi, policia e Tiranës: Goditëm 2 baza, 4 të arrestuar! Kërkonin nga 8 mijë deri në 180 mijë lekë

1781341778_1773252675pasaporte.jpg

Policia e Tiranës ka goditur dy baza të falsifikimit të dokumenteve të identifikimit dhe ka arrestuar 4 persona. Policia thotë se për falsifikimin shuma varionte nga 8 mijë deri në 180 mijë lekë dhe porositeshin nga qytetarë të Kosovës.

“U zbuluan dy baza të falsifikimit të dokumenteve të ndryshme si patenta, karta identiteti dhe pasaporta biometrike dhe u vunë në pranga 4 shtetas. Falsifikimet e dokumenteve varionin nga 80 mijë lekë të vjetra deri në 1 milion e 800 mijë lekë për pasaporta biometrike, të cilat porositeshin nga qytetarë nga Kosova për t’u përdorur në vendet e Bashkimit Evropian”, tha policia gjatë prezantimit të bilancit për muajin maj.

Ora 10:48
Vrasja e 28-vjeçarit në Paskuqan, policia e Tiranës: Autori Sadik Llanaj i rrezikshëm, po kërkohet nga RENEA! Janë kontrolluar 20 banesa

1780924161_sadikllanaj.JPG

Sadik Llanaj, autori i vrasjes së 28-vjeçarit Ardian Baloshi në Paskuqan, është ende në kërkim dhe për të janë angazhuar forcat RENEA, bëri me dije drejtori i Policisë së Tiranës, Oliger Torba. Janë kontrolluar 20 banesa, shtoi ai, ndërsa veçoi bashkëpunimin e qytetarëve.

“Në lidhje me autorin e dyshuar të vrasjes, Sadik Llanaj, gjej rastin të falenderoj qytetarët sepse kemi pasur një bashkëpunim të ngushtë. Për këtë arsye, është ngritur një grup duke marrë parasysh rrezikshmërinë e tij, janë ushtruar mbi 20 kontrolle banesash. Aktualisht vijon puna për kapjen e tij, për shkak edhe të rëndësisë së operacioneve vijojnë të angazhohen forcat RENEA dhe besojmë që shumë shpejt do të kapet ky person. Kemi pasur informacione shumë të vlefshme nga qytetarët”, tha ai.

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.