TIRANË- Eglant Koçi, i riu që u zhduk pa lënë asnjë gjurmë rreth 2 javë më parë, dyshohet se është vrarë me plumb në kokë. Trupi i pajetë u pikas nga dronët në një humnerë pranë Elbasanit dhe nga këqyrja paraprake është konstatuar një plagë tejshpuese në pjesën e pasme të kokës, e dyshuar se është shkaktuar nga arma e zjarrit. Trupi i 34-vjeçarit është dërguar në morg, ku do t’i nënshtrohet një ekspertize më të detajuar mjeko-ligjore.
Identifikimi i trupit të dekompozuar, i gjetur në fshatin Cerrujë, u bë nga familjarët e Eglant Koçit, pasi policia e lokalizoi atë me ndihmën e dronëve. Koçi rezultonte i zhdukur prej dy javësh, ndërsa për këtë ngjarje është shpallur në kërkim shoku i tij i ngushtë, Armand Shakaj. Në zyrën e këtij të fundit, policia pati gjetur gjurmë baruti dhe një shenjë në mur, e cila dyshohej të jetë e shkaktuar nga një predh plumbi.
Koçi ishte zhdukur që prej 4 qershorit, pasi u mor peng dhe u ekzekutua nga shoku i tij Shakaj. Ai e mori të riun me forcë në zyrën e tij në Tiranë ku dhe mendohet të jetë vrarë. Më pas Shakaj e ka nxjerrë dhe transportuar në makinën e tij, të cilën e kishte vendosur në një karrotrec për të humbur gjurmët.
Për të mos u zbuluar, 41-vjeçari kishte ndërruar të paktën 6 herë numrin e celularit. Pista kryesore e konfliktit mes dy djemve dyshohet të kenë qenë mosmarrëveshjet për kriptovalutat dhe paratë me fajde.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Komente







