TIRANË- Ndërkohë që policia pret raportin final të ekspertizës për identifikimin e kufomës së gjetur pasditen e së enjtes në një greminë në lagjen Domush, në fshatin Cërrojë të Elbasanit, familjarët e Eglant Koçit, pas këqyrjes së trupit të pajetë, i konfirmuan bluve se është 34-vjeçari. Trupi, në proces dekompozimi prej më shumë se 10 ditësh tashmë, u dërgua në morg për kryerjen e autopsisë.

Nga kryerja paraprake e kufomës, pas gjetjes përmes përdorimit të dronit të policisë, u konstatua një plagë tejshpuese në pjesën e pasme të kokës, e cila dyshohet se ka qenë e shtëna me armë zjarri që i ka marrë jetën të riut. Eglant Koçi dyshohet se është vrarë brenda zyrës në katin e dytë të pallatit pranë shkollës “Ismail Qemali”, ku autori i dyshuar i ngjarjes kishte edhe një lokal. Aty, pas kontrolleve policia gjeti gjurmë baruti dhe një shenjë në mur që dyshohet e krijuar prej një predhe plumbi. Kur misteri nëse Eglant Koçi është gjallë apo i vdekur u zgjidh, autori Armand Shakaj akoma nuk është lokalizuar nga policia. 41-vjeçari vijon të jetë në kërkim prej ditësh tashmë, dhe asnjë gjurmë e tij nuk është mundur të gjendet për ta arrestuar.

Eglant Koçi u zhduk paraditen e 4 qershorit dhe u pa për herë të fundit pranë sheshit “Wilson”. Pasi familjarët denoncuan në polici humbjen e tij, përmes kamerave të sigurisë blutë mbërritën deri te lokali i Shakajt, ku 34-vjeçari hynë me këmbët e veta, por nuk del kurrë i gjallë nga aty. Për të fshehur ngjarjen, 41-vjeçari krijoi një skenar filmash për të zhdukur kufomën. Fillimisht, pas mesnatës, kur data ishte 5 qershor, dërgoi motorin e Koçit në zonën e “5 Majit” për të shpërqendruar policinë. Trupin e Koçit e futi në qese të zeza dhe më 6 maj e futi në makinë, të cilën me një karrotrec e kaloi përtej Ibës, sërish për të shmangur kontrollin e policisë. Nga aty, mundi të depërtojë në zonën e thellë dhe ta hedh në humnerë. Pasi u kthye urdhëroi kamerierin e lokalit të tij të lante makinën, por tashmë policia po mblidhte provat dhe e arrestoi në flagrancë. Dëshmia e Enea Zyferit i dha ndihmë policisë për hetimet, edhe pse vetë pretendoi se nuk ishte përfshirë në ngjarjen e rëndë.

Gjurmimi i Armand Shakajt ka qenë i vështirë deri tani, pasi ka ndërruar disa numra celulari për të humbur gjurmë. Rezulton brenda vendit, por mundësia të jetë larguar ilegalisht nuk përjashtohet. Policia ka 2 pista për ngjarjen, për kriptomonedhat dhe paratë me fajde, të cilat janë akoma të paplota.

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë