Aktivistja Luçiana Kokaj, e cila është një prej organizatorëve të protestave që po zhvillohen kundër investimit në Zvërnec, është shprehur se për momentin s’ka ide për krijimin e partive politike.
Në një lidhje për emisionin ‘Studio Live’ me gazetarin Ermal Qori në Report Tv, Kokaj e cilësoi absurditet idenë e krijimit të një force politike nga protestat që po zhvillohen.
Kokaj tha se në shesh qytetarët kanë dalë për hallet e tyre dhe për keq-qeverisjen e vendit, teksa shtoi se askush nuk duhet të marrë përsipër që të negociojë në emër të protestuesve me kryeministrin Edi Rama.
“Ne jemi munduar që t’ja japim të gjithëve mundësinë të flasin. Mundohemi sa më shumë të kujdesemi për gjënë. Gjithë ecuria e protestës është përcaktuar nga qytetarët. Besojmë se të gjitha këto opinionet e analistëve që kanë bllokuar paneleve, janë po njësoj bashkëfajtorë në krijimin e këtij sistemi në Shqipëri. Nëse do të kishin bërë një punë të mirë, do të kishin orientuar edhe shoqërinë që të ngriheshin më shumë kundër padrejtësive.
Unë besoj se vendimet që protestuesit do të marrin bashkarisht në shesh, do të jenë vendimet e duhura. Nuk ka për momentin ide për krijimin e partive politike, sepse ky është absurdi më i madh që dëgjojmë. Ne nuk jemi aty për parti politike, nuk jami aty për poste në shtet apo për të negociuar në emër të atyre qytetarëve me qeverinë. Nuk besoj se do të ketë njeri guximin që të thotë se do të negocioj në emër të mijëra njerëzve në shesh. Zëri i mijëra qytetarëve aty ka më shumë vlerë se zëri i një personi të vetëm që s’ka bërë asgjë për Shqipërinë, por ka kontribuar në shpopullimin e vendit”, tha mes të tjerash Kokaj.
Më tej Kokaj paralajmëroi se një grup i madh shqiptarësh janë nisur nga Anglia, të cilët sipas saj po bashkohën me shqiptarë të tjerë në shtetet e Europës, për të ardhur më pas dhe për të marrë pjesë në protestat në Shqipëri. Sipas aktivistes, ata mund të vijnë në Tiranë brenda një jave.
“Janë nisur nga Anglia me makina një grup shumë i madh shqiptarësh, po bashkohen me shqiptarë të tjerë në shtetet e tjera të Europës dhe brenda javës do të jenë në shesh me ne. Ne duhet të jemi më të fortë dhe më të vendosur se kurrë për të vazhduar. Unë bëj pjesë vetëm te protesta, jo te pjesa politike. Unë kam dalë në protestë për hallin tim. Erdhi rasti që u bashkuam për një gjë shumë më të madhe sesa Rrjolli. E rëndësishme është që të jepet dorëheqja. Mendoj se kur të vijë momenti i duhur, mendjet e ndritura të Shqipërisë do të marrin vendimin e duhur”, vijoi Kokaj.

Aktivistja Luçiana Kokaj, e cila njihet edhe si një prej nismëtareve të protestave që po zhvillohen kundër investimit në Zvërnec, në një lidhje për emisionin ‘Studio Live’ me gazetarin Ermal Qori në Report Tv, ka folur edhe për largimin e deputetes Marjana Koçeku nga Grupi Parlamentar i PS-së, duke dalë si e pavarur.
Kokaj tha se duke qenë se Koçeku ka qenë deputete e Shkodrës, banorët e Rrjollit (që protestojnë kundër ndërtimit të resortit nga biznesmeni dhe botuesi Bashkim Ulaj) e kanë pritur prej kohësh mbështetjen e saj, mbështetje e cila sipas aktivistes nuk është dhënë.
Për këtë arsye, Kokaj tha se ishte e rezervuar dhe nuk kishte një mendim të qartë për lëvizjen e Koçekut për t’u larguar nga Grupi i PS.
“Unë nuk di të kem patur një komunikim me Koçekun. Unë s’dua të jap opinionin tim personal, duke e pasur edhe deputete të zonës, e kam pritur mbështetjen e saj në të gjitha kauzat tona, nuk e ka dhënë mbështetjen, kështu që në këtë rast jam pak e rezervuar me mendimet”, tha mes të tjerash Kokaj.
Më tej Kokaj tha se e kishte përgëzuar veprimin e Koçekut për t’u larguar nga Grupi i PS, por uroi që kjo lëvizje të mos kishte prapavijë tjetër.
Ajo tha gjithashtu se ishte ndier keq kur Koçeku kishte deklaruar se ishte kërcënuar nga Bajrat e Shkodrës. Kokaj shtoi se nëse kërcënimet nga Bajrat për Koçekun janë të vërteta, qytetarët duhet të dalin në mbështetje të saj dhe të solidarizohen me të.
“E kam përgëzuar natën e parë për vendimin për t’u larguar nga Grupi i PS. Mendoj se ka bërë një gjë dinjitoze. Jam ndjerë shumë keq kur kam parë mesazhin që është kërcënuar. Dhe nëse është e vërtetë që ajo është kërcënuar, duhet të jemi të gjithë bashkë në mbështetje të saj. Uroj shumë që të mos ketë një prapavijë tjetër. Uroj shumë që ajo të ketë bërë një tërheqje nga PS”, tha aktivistja Kokaj.
Komente











Doreheqja pse e doni nje pakice?!!
PërgjigjuC'fare te drejte kane shqiptaret e Anglise qe protestojne kunder te drejtes dhe deshires se banoreve te Zvernecit dhe te Vlores per zhvillimin e turizmit elitar ne tokat e tyre private? Ju nuk jeni shqiptare ju jeni anti-shqiptare.
Përgjigju