Vrasja e Egli Progës në Pogradec, Meta: Tregon fytyrën e narko-policisë, tentuan të fshehin ngjarjen! Të nisin menjëherë hetimet

Pas vrasjes së Egli Progës në Pogradec, kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta akuzoi uniformat blu se tentuan të manipulonin ngjarjen. Sipas tij, krimi në Pogradec tregon fytyrën e vërtetë të policisë dhe asaj që e quan një narko-qeveri.

Meta thotë se bandat kriminale të Rinilindjes janë bërë njësh me pushtetin dhe policinë, ndërsa shtoi se shteti i krimit liroi tre nga personat që akuzohen se fshehën ngjarjen.

“Krimi monstruoz i vrasjes së babait të dy fëmijëve në Pogradec, që u fsheh dhe u manipulua nga Narko-Policia, dhe për më rëndë akoma, që u relativizua nga “Drejtësia e Re” e Ramaformës, e cila liroi në sallën e gjyqit tre nga katër bashkëpunëtorët e vrasjes, është një ngjarje shumë e rëndë dhe tronditëse që revolton, dhe rrezikon çdo shqiptar. Përpjekja tinëzare shtetërore për të mbuluar një vrasje të paralajmëruar është prova më e freskët se në këtë vend nuk sundon shteti ligjor, por shteti i krimit, që inkurajon, mbulon dhe amniston krimet e gjobaxhinjve të Rilindjes, dhe bandave kriminale të “Rilindjes” të bëra njësh me pushtetin dhe policinë.

I shpreh solidaritetin më njerëzor dhe ngushëllimet më të ndjera familjes Proga, që humbi pabesisht njeriun e tyre të dashur, dhe që më rëndë akoma nuk po gjen drejtësi për një krim të kryer ditën për diell, në zemër të qytetit aq paqësor të Pogradecit dhe para syve të dhjetëra qytetarëve. Ky krim monstruoz provon edhe njëherë fytyrën e urryer të Narko-Policisë Qeveritare, e njëjta që vrau Klodian Rashën tek dera e shtëpisë dhe që e manipuloi edhe atëherë vrasjen, duke i shtuar një pistoletë si shkaktar i një konflikti me policinë”, u shpreh Ilir Meta.

Kreu i PL bën thirrje për hetime të intensive ndaj drejtuesjve të policisë, që sipas tij kanë marrë pjesë në manipulimin e ngjarjes.

“Duhet të ketë hetime të shpejta, intensive ndaj drejtuesve të policisë. Të cilët kanë marrë pjesë në këtë manipulim, sepse jo vetëm ka ndodhur ngjarja, por kanë provokuar një ngjarje tjetër, për të spostuar vëmendjen nga kjo ngjarje tepër e  rëndë, siç bën gjithmonë Rilindja me manipulimet e saj mediatike.

Dhe së dyti, duhet të hetohen edhe gjyqtarët, dhe të gjithë ata të cilët kanë bërë një proces farsë, duke liruar tre nga bashkëpunëtorët në këtë vrasje”, vijoi Meta.

Një koment Meta e pati edhe për deklaratën e kryeministrit Rama mbi vrasjen e Egli Progës që komentoi akuzën e ngritur nga Prokuroria si vrasje nga pakujdesia. Sipas Metës, Prokuroria është në kontrollin e Ramës, ndërsa shkon edhe më tej ku thotë se nuk është çudi që Rama të sakrifikojë ndonjë prokuror për këtë çështje pasi ka pasur reagim të madh nga opinioni publik.

"Absolutisht Prokuroria është në kontrollin e Edi Ramës. Këto janë lojërat e tij, nuk është asnjë çudi dhe të sakrifikojë ndonjë Prokuror për këtë çështje. Pasi ka pasur një reagim të fortë të opinionit publik, ndaj këtij instrumentalizimi të institucioneve që duhet të jenë garante të hetimit, zbatimit të ligjit dhe vënies së drejtësisë.

Edi Rama për të shpëtuar lëkurën e vet, ju e dini ka sakrifikuar bashkëpunëtorin më të ngushtë në 10 vite, sidomos në fushën e ekonomisë, ish-zëvendës kryeministrin Ahmetaj”, vijoi Meta.

Lidhur me rastin e vrasjes së Progës dhe akuzat për fshehjen e ngjarjes, Kryepolici Muhamet Rrumbullaku mbrojti sot Policinë. Ai tha se nuk ka asnjë të dhënë, që policia lokale të ketë neglizhuar, kurse sulmet janë dashakeqe dhe të qellimshme. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:13
Vrasja e Egli Progës, Karabina: Policia tentoi ta manipulojë, ngjarja dëshmon degradimin e shtetit! Të hetohen organet kompetente

Zëdhënësja e ‘Demokratëve Euroatlantikë’, Mirela Karabanina ka reaguar për vrasjen e Egli Progës në Pogradec. Në një deklaratë për mediat, Karabina u shpreh se ngjarja ka shokuar opinionin publik, ndërsa edhe ajo hedh akuza se policia ka tentuar që ta manipulojë ngjarjen, duke e raportuar fillimisht si aksidentale dhe më pas si vrasje.

Karabina thotë se duhet një hetim i thelluar për organet kompetente, duke nisur nga Policia e Pogradecit, Prokuroria dhe Gjykata e Korçës. Sipas Karabinës, kjo ngjarje dëshmon degradimin e shtetit.

Deklarata e Mirela Karabinës

Partia Demokratike-Demokratët Euroatlantikë është duke ndjekur me vëmendje dhe shqetësim të  thellë ngjarjen e rëndë në Pogradec që ka shokuar opinionin publik, ku një shtetas humbi jetën, duke u lënë për 30 minuta në mes të rrugës e në gjendje të rëndë, ku as policia dhe as ndihma e parë mjekësore nuk vepruan në kohë për të shpëtuar jetën e të ndjerit. Ditë pas dite zbardhen fakte të reja të cilat dëshmojnë degradimin e krejt shtetit në këtë vend, pasi nga momenti i ngjarjes e deri më sot, është ndryshuar disa herë versioni zyrtar i ngjarjes.

Filimisht u raportua si vdekje aksidentale dhe më pas që i riu ishte dhunuar ashpër deri në humbje të jetës në mes të rrugës. Heshtja dhe mosreagimi në kohë për fshehjen e së vërtetës dhe zbardhjen e vrasjes, ka ngjallur frikë dhe indinjatë te qytetarëve, pasi jeta e tyre është në rrezik dhe shteti nuk funksionon për t’i mbrojtur ata.

Partia Demokratike-Demokratët Euroatlantikë kërkon një hetim te thelluar mbi veprimet e organeve kompetente për mosreagim e tyre në kohë si dhe të vlerësimit që i kanë bërë në tërësi rastit në fjalë, konkretisht: Komisariatit të Policisë Pogradec, Prokurosisë dhe Gjykatës së Shkallës së Parë me Juridiksion të Përgjithshëm Pogradec si dhe Urgjencës së Spitalit.

Këto autoritete duhet të mbajnë përgjegjësi, duke filluar nga vonesa në dhënien e ndihmës së shpejtë, duke vijuar me përpjekjen e policisë për ta raportuar  ngjarjen si aksidentale, pra duke e manipuluar atë, e duke vijuar me autoritetet lokale te drejtësisë.

Ngjarja tragjike ka tronditur jo vetëm qytetin e Pogradecit, por mbarë opinionin publik shqiptar. Kjo ngjarje duhet të zbardhet menjëherë dhe të shkojnë para drejtësisë të gjitha ata që u bënë pjesë e humbjes së jetës së një të riu, një biri, një babai të dy fëmijëve jetimë dhe një bashkëshorti. Partia Demokratike-Demokratët Euroatlantikë i shpreh ngushëllime të sinqerta familjarëve të të Ndjerit.

SI.E./E.H/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ngjarja në Pogradec, jeni dakord me akuzën si vrasje nga pakujdesia?



×

Lajmi i fundit

Vrasja e Egli Progës, Karabina: Policia tentoi ta manipulojë, ngjarja dëshmon degradimin e shtetit! Të hetohen organet kompetente

Vrasja e Egli Progës, Karabina: Policia tentoi ta manipulojë, ngjarja dëshmon degradimin e shtetit! Të hetohen organet kompetente