Të paktën 74 persona kanë humbur jetën deri tani në Meksikë për shkak të sulmeve me armë zjarri nga narkotrafikantët, si dhe nga vetë përplasjet mes këtyre të fundit pas vrasjes së Nemesio Oseguera Cervantes, i njohur si “El Mencho”, themelues dhe lider i Cartel Jalisco Nueva Generacion (CJNG), banda kriminale më e frikshme e vendit.

Ishin vetë forcat e sigurisë së Meksikës që njoftuan vrasjen e Cervantes, pas nisjes së operacioneve të ushtrisë. Bastisja shkaktoi përplasje shumë të dhunshme mes grupeve të narkotrafikantëve dhe forcave të policisë. Në disa shtete u raportuan zjarrvënie, bllokime rrugësh dhe arratisje të civilëve në panik.

Mes viktimave civile është një grua në muajin e tretë të shtatzënisë dhe 17 agjentë të forcave të rendit: 15 pjesëtarë të Gardës Kombëtare, një agjent i Prokurorisë dhe një roje burgu. Nga ana e krimit janë regjistruar tetë të vdekur. Forcat e rendit kanë arrestuar gjithashtu 27 persona: 11 për episodet e dhunës dhe 14 për plaçkitje ndaj bizneseve dhe institucioneve bankare.

I lindur në vitin 1966, Oseguera Cervantes ishte përfshirë nga administrata amerikane në listën e kriminelëve më të kërkuar, me një shpërblim shumë milionësh për informacione që çonin në arrestimin e tij. Drug Enforcement Administration (DEA) e përshkruan CJNG si një nga organizatat kriminale më të fuqishme në Meksikë. Sipas raporteve publike të agjencisë, grupi përdorte taktika ushtarake, armë të kalibrit të lartë dhe strategji propagandistike për të zgjeruar dhe konsoliduar pushtetin e tij. Për kapjen e tij ishte vendosur një shpërblim prej 15 milionë dollarësh.

Brian McKnight, drejtues i DEA-s amerikane, e kishte quajtur Cervantes “armiku publik numër një” të ri, duke thënë se ai kontrollonte 80% të drogës që mbërrin në një qytet si Chicago dhe një të tretën e të gjithë importit të narkotikëve në Shtetet e Bashkuara (kokainë, metamfetaminë, fentanil). Sipas hetuesve të DEA-s, karteli i tij, i shkëputur nga grupi i Sinaloas i drejtuar nga Joaquin Guzman, kishte krijuar rrugë trafiku droge në gjashtë kontinente dhe kishte një bazë të fortë në Chicago.

Pak detaje janë bërë publike mbi vrasjen e tij: ai thuhet se u interceptua në komunën Talpa de Allende, një zonë e konsideruar tradicionalisht bastion i kartelit të Jalisco-s. Pas operacionit u raportuan bllokime rrugësh në të paktën gjashtë shtete të Meksikës — Jalisco, Michoacán, Colima, Tamaulipas, Guanajuato dhe Aguascalientes — duke shkaktuar mobilizim të gjerë të autoriteteve federale dhe shtetërore. Kjo është një taktikë e zakonshme e organizatave kriminale si reagim ndaj arrestimeve ose vrasjeve të figurave të profilit të lartë.

Ministria meksikane e Mbrojtjes konfirmoi me një komunikatë vdekjen e bos-it. Gazeta El Universal raportoi se SHBA-të kontribuuan në operacionin e kryer me mbështetjen e aviacionit, megjithëse ky detaj nuk është konfirmuar zyrtarisht. Uashingtoni përgëzoi operacionin, ndërsa Reuters raportoi se SHBA-të ofruan mbështetje në inteligjencë.

Forcat e sigurisë u sulmuan nga narkotrafikantët dhe iu përgjigjën me zjarr, duke vrarë katër persona në vend dhe duke plagosur rëndë tre të tjerë. Këta të fundit vdiqën gjatë transportit për në Mexico City, sipas Ministrisë së Mbrojtjes, dhe mes tyre ndodhej edhe “El Mencho”. Pas kësaj shpërtheu hakmarrja e narcos-ve, të cilët në orët në vijim u përplasën me ushtrinë meksikane. Forcat ajrore bombarduan kolonat e kriminelëve.

Komando të narcos-ve sulmuan aeroportin e Guadalajara-s, kryeqyteti i shtetit Jalisco, gjatë shkëmbimeve të zjarrit mes kartelëve dhe forcave të sigurisë. Video të shpërndara në rrjetet sociale tregojnë pasagjerë që ikin në panik ndërsa dëgjohen të shtëna armësh. Vetëm pas disa orësh situata u normalizua. Pamje të tjera nga Puerto Vallarta tregojnë zjarrvënie dhe kolona tymi. Sipas mediave lokale, në këtë qytet po ndodhte një arratisje masive nga burgu i Ixtapa-s. Më në veri, në San Juan de los Lagos, narcos-t sulmuan një bazë të Gardës Kombëtare. Qeveria urdhëroi mbylljen e hapësirës ajrore mbi Tapalpa. Pasdite ishin ende aktive 21 bllokime rrugësh nga narcos-t.

Alarmi u ngrit edhe në shtetin fqinj Michoacán. Guvernatori Alfredo Ramírez Bedolla njoftoi nisjen e një operacioni survejimi në gjithë territorin. Alarm ndërkombëtar gjithashtu: Ambasada e SHBA-ve dhe qeveria kanadeze lëshuan paralajmërime sigurie për qytetarët e tyre. Përfaqësia amerikane u kërkoi shtetasve të mos dilnin nga shtëpitë në shtetet Jalisco, Tamaulipas, Michoacán, Guerrero dhe Nuevo León. Edhe qeveria kanadeze paralajmëroi për postblloqe me automjete të djegura, të shtëna dhe shpërthime.

Në fund, presidentja e Meksikës Claudia Sheinbaum u bëri thirrje qytetarëve të ruajnë qetësinë:

«Ministria e Mbrojtjes Kombëtare ka raportuar për operacionin e kryer këtë mëngjes nga forcat federale, që ka shkaktuar disa bllokime dhe incidente të tjera. Ka koordinim të plotë me qeveritë e të gjitha shteteve; duhet të qëndrojmë të informuar dhe të ruajmë qetësinë», shkroi ajo në X.

«Vlerësimi im për Ushtrinë, Gardën Kombëtare, Forcat e Armatosura dhe Kabinetin e Sigurisë. Punojmë çdo ditë për paqen, sigurinë, drejtësinë dhe mirëqenien e Meksikës»./ Corriere della Sera

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:09
Vrasja e ‘El Mencho’ në Meksikë/ Autoritetet ndoqën partneren e tij për zbulimin e strehës ku fshihej 59-vjeçari

Foto: El Mencho

Autoritetet meksikane e gjurmuan dhe e vranë “El Mencho”, një nga trafikantët më të kërkuar të drogës në botë, duke gjurmuar të dashurën e tij deri në momentin që ajo mbërriti në strehën e tij të sigurt pranë një qyteti piktoresk malor, bëri të ditur Sekretari i Mbrojtjes i vendit.

Gjatë një konference për shtyp, zyrtarët dhanë detajet e para mbi operacionin që çoi në vdekjen e liderit të grupit më të fuqishëm të krimit të organizuar në Meksikë, Kartelit Jalisco New Generation (CJNG).

Ndërkohë, bastisja shkaktoi një valë dhe hakmarrëse nga anëtarë të armatosur të kartelit, eduke paralizuar zona të tëra të Meksikës perëndimore.

Lideri 59-vjeçar i kartelit, emri i vërtetë i të cilit është Nemesio Rubén Oseguera Cervantes, u plagos për vdekje ndërsa ushtria meksikane përpiqej ta kapte gjatë një operacion, të mbështetur nga inteligjenca e Uashingtonit.

Ora 12:38
Çfarë pritet të ndodhë tani në Meksikë pas vrasjes së baronit të drogës 'El Mencho'?

Forcat e sigurisë në qytetin Jalisco

Vrasja e “El Mencho”, kreut të Kartelit Jalisco Nueva Generacion, mund të çelë një fazë të re dhe të rrezikshme për Meksikën. Eliminimi i një lideri të këtij niveli është goditje e fortë për një rrjet kriminal, por historia e viteve të fundit tregon se fundi i një bosi shpesh sjell përçarje brenda grupit dhe një valë të re dhune.

Karteli i Jalisco-s konsiderohet më i militarizuari në vend. Ka arsenal të fuqishëm armësh dhe është bërë i njohur për prita të dhunshme ndaj forcave të sigurisë. Në të kaluarën ka rrëzuar edhe një helikopter. Ka përdorur dronë, sisteme neutralizimi, raketa antitank, mitraloza të rëndë dhe automjete të blinduara të modifikuara vetë.

Kur kapet apo vritet një “padrino”, reagimi është pothuajse i njëjtë: bllokime rrugësh, sulme në zona urbane, kaos i organizuar. Është taktikë e studiuar, që përsëritet sa herë të jetë nevoja.  Një mesazh sfide ndaj shtetit dhe një shfaqje force për rivalët.

Sipas Reuters, në operacion ka pasur rol edhe një njësi amerikane, Joint Task Force-Counter Cartel, e specializuar në gjurmimin e fraksioneve të narkosve. Misioni i saj për këtë rast kishte nisur rreth një muaj më parë. Bashkëpunimi në fushën e inteligjencës mes SHBA dhe Meksikës nuk është i ri. Fillimisht mbështetja amerikane përqendrohej te Marina meksikane, e konsideruar më e besueshme se strukturat e tjera të prekura nga korrupsioni.

Me rikthimin e presidentit Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, bashkëpunimi u rrit ndjeshëm. Presidenti kishte kërcënuar edhe me ndërhyrje direkte në territorin meksikan, gjë që kishte sjellë reagime të forta nga Meksika. Në muajt e fundit, avionë spiunë dhe dronë amerikanë kanë kryer misione zbulimi dhe përgjimi jashtë kufijve meksikanë, por nuk përjashtohet që të ketë pasur edhe inkursione brenda territorit.

Vendimtare ka qenë edhe mbështetja teknologjike për të lokalizuar objektiva që dinë të fshihen mirë dhe përdorin kundërmasa për t’i shpëtuar ndjekjes.

Tani pyetja është e hapur: a do të shpërbëhet karteli në fraksione që do të luftojnë mes tyre, apo do të dalë një lider i ri që do të mbajë të bashkuar një nga organizatat më të dhunshme të Meksikës. Në të dyja rastet, rreziku për një tjetër spirale dhune është real./CorrieredellaSera