Vrasja e elektricistit në Shkodër
Rama: Therja me thikë, barbare

Vrasja e elektricistit në Shkodër<br />Rama: Therja me thikë, barbare
Kryeminstri i Shqipërisë Edi Rama ka publikuar në facebook një shkrim të cilin e ka cilësuar si homazh për punonjësin e OSHEE të vrarë në Shkodër. Rama është shprehur se kjo ishte një therje barbare e një punonjësi të shtetit që nuk korruptohet.

Rama është shprehur se Partia demokratike e cila pret mjerisht krimin e radhës për të ngritur akuza mbi Policinë e Shtetit, Ministrin e Brendshëm apo atë vetë, nuk e ka vënë re këtë masakër mbi shërbëtorin e shtetit.

Rama thotë se ai u vra vetëm se kreu me përpikmëri detyrën e  tij duke mos pranuar që të lidhte energjinë në mënyrë të paligjshme një konsumatori.
 
“Ngushëllimet e mia më të ndjera Geraldit, djalit të Zamirit, bashkëshortes së tij, Dhuratës, si edhe tri motrave që humbën vëllanë e vetëm”, ka shkruar kryeministri Rama në homazhin që ai bën për punonjësin e OSHEE të vrarë dje në Shkodër.

Statusi i plotë i Ramës
Therja barbare me thikë e një punonjësi të shtetit që nuk korruptohet, po kryen detyrën me përkushtim, si qindra të tjerë në kompaninë më të suksesshme publike të Shqipërisë, OSSHE, dhe gjen vdekjen duke i shërbyer interesit publik, po kalon thuajse pa u vënë re!...
 
Siç pritet, nuk e ve re hiç këtë masakër mbi shërbëtorin e shtetit, Partia Demokratike. E cila mjerisht, mezi e pret krimin e radhës, për të akuzuar Policinë e Shtetit, Ministrin e Brendshëm apo mua vetë. Po nuk e venë re thuajse fare, humbjen e jetës së një burri 44-vjeçar në krye të detyrës, as edhe vetë gazetat online; ato të cilat fatkeqësisht, shkojnë përditë shumë përtej lajmeve reale, e nuk lënë gënjeshtër e fantazi pa publikuar si lajm, skandal apo bombë.
 
Babai që la jetim një djalë 17 vjeçar, pse nuk pranoi t'i lidhte korentin në mënyrë të paligjshme një kafshe me dy këmbë, është shumë jashtë modës së imponuar nga kultura vulgare, për të cilën çdo njeri që punon për shtetin është hajdut, i paaftë, fanatik etj.etj.!
Në fakt jo!
Fatmirësisht jo dhe jo!
 
Sepse janë punonjësit e aftë e të ndershëm që e kthyen OSSHE-në, nga një gur në qafën e Shqipërisë, buzë humnerës energjetike e financiare të vitit 2013, në një histori suksesi që deri dje nuk e besonte thuajse askush në këtë vend dhe asnjë institucion ndërkombëtar financiar për be; sepse "shqiptarët janë mësuar ta vjedhin energjinë"; sepse "nuk çrrënjoset kultura çerekshekullore e vjedhjes së korentit në Shqipëri"; sepse "jemi të varfër dhe kemi të drejtë t'i vjedhim dritat" dhe "kështu do vazhdojmë tërë jetën, se ky vend nuk bëhet" e bla-bla-bla, plot broçkulla si këto...
 
Po ja që u bëka! Dhe ja që energjia po kthehet dita-ditës, nga një kuje e zezë kombëtare në një sektor që po le pas krizën çerekshekullore. E jo vetëm kaq, po edhe disa vjet të tjera, e sektori energjitik do të jetë burim kryesor i forcës së këtij vendi dhe mirëqenies së këtij populli. Nuk u bë kjo çudi vetëm se doli, më në fund, një qeveri që nuk thotë vidhi dritat po votën ma jep mua, po sepse njerëzit si Zamir Velaj, ndjesë pastë, bënë dhe bëjnë detyrën, me ndershmëri e përkushtim, në terrenin e një beteje tmerrësisht të vështirë, kundër kulturës mizerabël të vjedhjes e të justifikimit të vjedhjes së dritave dhe të përfoljes e përbaltjes të çdo njeriu që punon, e të çdo pune që bëhet!
 
Zamir Velaj nuk është viktima e parë e agresionit të egër fizik kundër punonjësve të OSSHE-së. Të tjerë janë goditur më parë, janë terrorizuar, plagosur, kanë luftuar me vdekjen në spitale apo kanë humbur edhe jetën! Po njësoj si Zamiri, nuk kanë bërë lajm thuajse fare, sepse lajmet nga ky sektor dhe kuja politike e mediatike, u është rezervuar qysh në fillim, vjedhësve "të shkretë" të energjisë!
 
Por OSSHE-ja ka vazhduar të bëjë progres, pikërisht sepse nuk janë më disa kokrra si deri dje, po është shumica e punonjësve të kompanisë së rilindur nga rrënojat, që prej kohësh tanimë, bën detyrën me ndershmëri e përkushtim. Të korruptuarit s'ka dyshim se nuk janë një farë e zhdukur prej aty, aspak jo! Por ama janë njerëzit si Zamir Velaj që përbëjnë shumicën.
 
Dhe OSSHE-ja është vetëm një shembull i mirë e kuptimplotë nga Shqipëria, ku ndryshe nga çfarë propagandon përditë kultura vulgare e përfoljes dhe përbaltjes së të gjithëve, gjërat janë ca më ndryshe. Madje shumë më ndryshe!
 
Ngushëllimet e mia më të ndjera Geraldit, djalit të Zamirit, bashkëshortes së tij, Dhuratës, si edhe tri motrave që humbën vëllanë e vetëm!
Mirënjohje dhe respekt për Zamir Velajn dhe për të rënët e tjerë në krye të detyrës, në frontin e kësaj beteje kaq të vështirë dhe jetike për shoqërinë tonë! Po edhe për të gjithë kolegët e koleget e të ndjerit, mirënjohje dhe respekt gjithashtu.
 
I paharruar qoftë kujtimi i Zamirit dhe përparimi i mëtejshëm i kompanisë në rrugën e suksesit e në përmbushjen me cilësi gjithnjë e më të mirë të shërbimit ndaj konsumatorëve, qoftë shprehja e vazhdueshme e mirënjohjes dhe respektit tonë për të ndjerin!
 
Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    PD paralajmëron protesta, bllokim rrugësh e kaos në Kuvend, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Ndërpritet derbi i Madridit, Reali i shënon Atleticos! Tifozët hedhin sende të forta kundër Courtois

VIDEO/ Ndërpritet derbi i Madridit, Reali i shënon Atleticos! Tifozët hedhin sende të forta kundër Courtois