TIRANE- Pas gati 3 muaj izolim në qeli, i dyshuari kryesor i prokurorisë për vrasjen e Eleni Bashos, Ilia Basho i është bashkuar dje në mbrëmje dy fëmijëve të tij të mbetur tashmë jetimë. Mes lotësh dhe mallit të krijuar për shkak të ndarjes me ta për gati tre muaj, por dhe për fatkeqësinë e ndodhur, 38 vjeëari Basho I është bashkuar familjes së tij që ndodhet në zonën e Shkozës në Tiranës. Mbrëmjen e djeshme i dyshuari si organizator i vrasjes së gruas së tij, ka kapërcyer derën e burgut 302 në Tiranë, ku jashtë e priste babai i tij Thanasi, xhaxhai si dhe avokati mbrojtës Lazer Sokoli. Sapo ka dalë nga ambjentet e burgut gazeta Shqiptarja.com, ka mundur të lidhet nëpërmjet telefonit me shtetasin Ilia Basho, i cili është shprehur se ndihet tepër I lumtur pas vendimit të gjykatës së Tiranës. “Jam shumë shumë i lumtur. Më në fund drejtësia foli për rastin tim. Të gjitha ato që janë shkruar për mua janë shpifje dhe të pavërteta. Do shkoj në shtëpi të ëmallem me fëmijët”-është shprehur për gazetën Shqiptarja.com Ilia Basho. Ndërsa avokati i tij mbrojtës Lazer Sokoli, ka pohuar se vendimi i gjykatës është marë pasditen e djeshme, ku pas një kohe të gjatë prokuroria e Tiranës ka reflektuar dhe ka parë se në dosje mungonin provat për të akuzuar të arrestuarin për veprën penale të “Vrasjes me paramendim”.

KERKESA E PROKURORISE

Ka qënë vetë prokurori Etien Kapo, ai që ditën e djeshmë është paraqitur në Gjykatën e Tiranës ku i ka kërkuar gjyqtarit Altin Shkurti, zëvendësimin e masës së sigurisë ndaj të arrestuarit Ilia Basho që dyshohet si organizatori i vrasjes së bashkëshortes së tij 33 vjeëares laburante Eleni Basho. Mësohet se shkak i kësaj kërkese është bërë mos administrimi në dosje të provave materiale që do bindnin prokurorinë se Ilia Basho, ishte organizatori i vrasjes. Nisur nga këto kushte, prokurori Kapo ka kërkuar zëvendësimin e masës së sigurisë nga “arresti në burg” në atë të “Detyrimit për paraqitje”. Kjo kërkesë është miratuar dhe nga gjyqtari Altin Shkurti si dhe nga mbrojtja e të arrestuarit Ilia Basho. Pas kësaj ka ardhur dhe lirimi i menjëhershëm i të arrestuarit Ilia Basho, i cili sipas burimeve pranë prokurorisë së Tiranës do të vashdojë të ndiqet penalisht në gjëndje të lirë. “Deri në këto momente nuk kemi shumë prova që e implikojnë Ilian direkt në vrasje, prandaj dhe vendosëm zëvendësimin e masës së sigurisë. Sigurisht që hetimi për këtë ngjarje do vijojë dhe se Basho do vashdojë të jetë nën hetim, por në gjëndje të lirë”-thanë burimet pranë prokurorisë.

ARRESTIMI NE MESNATE

Ka qënë mesnata e 21 shkurtit të këtij viti, kur dy Oficerë të Policisë Gjyqësore kanë thirrur për të marë në pyetje burrin e laburantes dentare Eleni Basho, shtetasin Ilia Basho. Po atë mbrëmje, në polici është thirur dhe shtetësja Yllka Shehaj, e cila është marë në pyetje deri në mesnatë. Fakti i pranimit të lidhjes intime me këtë shtetase, i ka kushtuar Bashos arrestimin e menjëhershëm nga ana e policisë. Basho përgjatë gjithë kësaj kohe ka këmbëngulur se ai nuk ishte personi që kishte vrarë gruan e tij dhe se po abuzonin duke e lënë në burg. Mirëpo, pretendimet e tij sjanë marë parasysh nga gjykata e cila duke u bazuar vetëm në disa mesazhe të dërguara të dashurës së tij Yllka Shehaj ka vendosur që të caktojë masën e “arrestit në burg” për 38 vjeçarin që ishte ndaluar nga polcia. Pas gjykatës së Tiranës, ka qënë gjykata e Apelit ajo që vendosi të lerë në burg të arrestuarin Basho, ndërkohë që menjëherë pas kësaj ngjarje dy familjet të Eleni Basho dhe Ilias, ndërprenë marëdhëniet e tyre duke mos shkuar më për vizita tek njëri-tjetri. Aktualisht vrasja e Eleni Basho, konsiderohet pa autor kjo për shkak se në vendin e ngjarjes nuk u arrit të sekuestrohej asnjë provë bindëse.

AUTORI QELLOI DY HERE NGA PRAPA

Sipas vendimit të gjykatës, hetimi ka arritur të përcaktojë se 33 vjeçaria Eleni Basho, bashkëshortja e Ilias është qëlluar ditën e 2 shkurtit me dy plumba pistolete nga një person i vetëm. Vendimi i gjyqtarit Altin Shkurti ishte përpiluar në mënyrë të thatë, duke shmangur provat e prokurorisë, por kishte cituar vetëm katër procesverbalë deklarimesh të datës tre, gjashtë dhe 21 shkurtit 2012, që sipas gjykatës në atë peridhë përbënin prova për lënien në qeli të Ilia Bashos. Në vendimin e lexuar nga gjyqtari Shkurti, thuhej se vendimi për ndalimin e Bashos i nxjerë nga prokuroria është i ligjshëm dhe se të gjitha aktet e administruara deri tani janë marë konform të gjitha dispozitave ligjore. Ndërkohë që tregon se vrasja e Eleni Basho, ka ndodhur në një distancë gati 100 metra larg banesës së saj në Shkozë, ku teksa 33 vjeçaria kthehej nga puna ajo është qëlluar dy herë me armë zjari, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Personi që ekzekutoi Eleni Bashon, ka mundur të fshihet në disa shkure që ndodhen buzë një përroi, dhe teksa laburantja ka kaluar ajo është qëlluar nga prapa me dy plumba. Pas kësaj, autori duke përfituar nga errësira dhe shiu që binte ka mundur të largohet pa u arrestuar nga policia.
(sg/Shqiptarja.com)