TIRANE - Është arrestuar paraditen e sotme një nga katër autorët e dyshuar të vrasjes së faturinos Julian Çuni. Sipas të dhënave të Policisë së Tiranës i arrestuari është Sulejman Morina.

Policia e Tiranës vazhdon të punojë për kapjen e personave të tjerë të shpallur dje në kërkim, Hasan, Behar dhe Klodian Morinën.

17-vjeçari Julian Çuni punonte faturino dhe u ther me thikë të dielën e kaluar tek Zogu i Zi.

Viktima me katër personat me mbiemër Morina janë konfliktuar pasi autorët nuk kanë paguar biletën 1500 lekë të vjetra.

Në orët e mëvona policia pritet të japë detaje në lidhje me vendin se ku u arrestua Sulejman Morina.
Pritet që arrestimi i të dyshuarve me të njëjtin mbiemër të zbardh dhe se cili prej tyre goditi me thikë Julianin.

POLICIA IDENTIFIKOI DJE  AUTORET E VRASJES
Dje policia identifikoi 4 autorët e vrasjes së Julian Çunit, 17 vjeçari i cili punonte si faturino në një furgon të linjës Tiranë- Durrës. Sipas policisë autorët e vrasjes së ndodhur pasditen e së dielës më 25 nëntor ishin Sulejman, Hasan, Behar dhe Klodian Morina. Policia tha se 4 shtetasit ishin shpallur në kërkim dhe kishte nisur puna për arrestimin e tyre. Dje policia e kryeqytetit  kishte kryer dhe kontroll në banesën e këtyre shtetasve, por nuk i gjeti në banesë pasi dyshohet se ishin larguar.

VRASJA ME 25 NENTOR
Gjithçka ka nisur pasditen e 25 nentorit, pas një konflikti të çastit. Teksa kanë tentuar të zbresin nga furgoni, pranë Zogut të Zi në kryeqytet, aty ku dhe stacionohen furgonët e linjave të ndryshme të udhëtimeve, pasagjerët kanë pretenduar se e kanë paguar biletën, 1500 lekë të vjetra. Por ky fakt është kundërshtuar nga faturino Juljan Cuni, 17 vjeç nga Babrruja. Ai ka insistuar t’i kërkojë pasagjerëve pagesën, por ata i janë kthyer duke e qëlluar me grushte madje kanë përdorur dhe mjetin e ftohtë thikë.

Personat dyshohet se kishin hipur në furgon afër stacionit të trenit dhe pas debateve me të, njëri prej tyre goditi disa herë me thikë Julianin. Pas krimit autorët zbritën nga furgoni pranë Zogut të Zi duke u larguar me shpejtësi për të humbur gjurmët. Grupi hetimor i ngritur për ngjaren punoi për afro 1 javë me imazhet e fiksuara nga kamerat e sigurisë për të zbardhur identitetin e autorëve.

Redaksia online
(eç/shqiptarja.com)