Policia dhe shërbimet e sigurisë po punojnë për të identifikuar shtetasin britanik të kthyer në xhihadist, që shfaqet në pamjet e ekzekutimit të gazetarit amerikan.  Grupi ekstremist Shteti Islamik publikoi një video të momenteve para dhe pas ekzekutimit të James Foley, të cilit iu pre koka.

Raportime të pakonfirmuara sugjerojnë se personi në video, që kishte një theks të fortë anglez, është nga Londra ose nga jug-lindja e Anglisë dhe ka shërbyer si roje e pengjeve të ISIS.

James Foley, 40 vjeç, ishte shpallur person i humbur që prej vitit 2012, kur ishte rrëmbyer në Siri. Mësohet se FBI-ja po drejton gjuetinë ndërkombëtare për të kapur këtë vrasës, ndërsa Scotland Yard po ekzaminon përmbajtjen e videos.

Që kur pamjet u publikuan, forcat amerikane kanë kryer 14 sulme ajrore ndaj militantëve të ISIS në afërsi të digës së Mosulit, në veri të Irakut. Kryeministri britanik David Cameron deklaroi se sa vijnë e rriten gjasat që personi që ekzekutoi gazetarin amerikan është britanik, por shtoi se nuk është momenti për reagime të papërmbajtura.


Ndërsa “The Guardian” shkruan se, personi mendohet të jetë shefi i një grupi luftëtarësh britanikë me bazë në Siri. Sipas gazetës, ai identifikohej me emrin John dhe besohet të jetë nga Londra.




Redaksia Online
(g.f/shqiptarja.com)