Vrasja e Gentian Bejtjas, arrestohet një prej autorëve! Në pranga edhe pronari i mjetit me të cilin u larguan ekzekutorët nga Fushë Kruja! Detaji që i zbuloi

FUSHË KRUJË-  Pesë ditë pas ekzekutimit të Gentian Bejtjas në Larushk të Fushë Krujës, dy persona janë arrestuar nën dyshimin se janë të përfshirë në atentat. Report Tv mëson se në pranga kanë rënë 30 vjeçari Edison Haxhiu dhe një 41-vjeçar me tre emra, Ilir Beqaraj allias, Brahimi, allias Mançellari. Dy të arrestuarit rezultojnë të dënuar më parë për vepra të tjera të lehta penale, mëson gazetari Sokol Dema.

Beqaraj dhe Haxhiu dyshohet se i përkasin një grupi kriminal me aktivitet në Fushë Krujë dhe zonën rreth e rrotull. Ilir Beqaraj rezulton kushëriri i Ylli Brahimit, krahut të djathtë të Ervis Martinajt. Deri tani asnjë prej të arrestuarve nuk po bashkëpunon me hetuesit.

Policia ka arritur që të zbardhë lëvizjen e autorëve pas momentit që kanë djegur makinën e krimit. Ilir Beqaraj dyshohet se është një nga autorët që ka marrë pjesë në ekzekutim, ndërsa Edison Haxhiu akuzohet se u ka vënë në përdorim autorëve mjetin tip ‘Golf’ për t'u larguar nga Fushë Kruja.

Sipas skemës së zbardhur nga Policia e Tiranës, Beqaraj bashkë me tre të tjerë, të paidentifikuar, u futën në oborrin e shtëpisë të Gentjan Bejtjas me Land Rover, me targa të vjedhura në 2023 në Shkodër. Pasi e vranë pranë serës me më shumë se 80 plumba kallashi, ata janë larguar me mjetin tip ‘Land Rover’ drejt aksit Larushkë – Thumanë dhe e kanë djegur makinën në fshatin Hasan. Më pas ata dyshohet se janë larguar në drejtim të fshatit Bubq në Krujë me mjetin tip ‘Golf’, pronari i të cilit, Edison Haxhiu, u arrestua nga policia.

Pas këqyrjes së kamerave të sigurisë, policia ka arritur që të zbulojë lëvizjen e autorëve me ‘Golfin’ me ngjyrë të zezë, pa targa vetëm në pjesën e pasme, detaj ky që si duket ka ngritur edhe dyshimet e policisë dhe nxori zbuluar lëvizjet e tyre.

Pas hetimeve ka rezultuar se makina "Golf" me targë AB960GG rezultonte në pronësi të Haxhiut, por me të njëjtën makinë policisë i ka rezultuar se ka lëvizur edhe Ilir Beqaraj, i dyshuar si një prej ekzekutorëve. Kamerat e sigurisë më në fund e zbuluan Golfin në afërsi të zonës së Lundrës në një lavazh, aty ku dhe policia ndërhyri e arrestoi Haxhiun.

Edison Haxhiu i dyshuar për sigurim të kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje, i priste në timon, një 30-vjeçar lindur në Kurbin, por jetonte në Tiranë. Kur policia lokale shkoi në shtëpinë e familjes së tij, pjesëtarët e saj që jetonin në varfëri, nuk e dinin ku ndodhej i biri.

Nga ana tjetër, gjatë kontrollit në banesën e Ilir Beqaraj janë gjetur një armë zjarri pistoletë me mbishkrimin VALTER, një armë zjarri e markës BENELLI e cila mbahej me lejen e organeve të policisë, dhjetëra fishekë, 5 radiomarrëse, si edhe mjete identifikimi të falsifikuara.

Ndaj 41-vjeçarit Beqaraj janë ngritur akuzat “Mbajta pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Falsifikimit të dokumenteve”, si edhe dyshohet një prej autorëve të vrasjes së Bejtjas. Ndaj Haxhiut rëndon vepra penale “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:53
Vrasja e Gentjan Bejtjas, Fushë Kruja e rrethinat në 'shtet rrethim', FNSh kontrolle të befasishme në mjete të dyshimta (Video)

Që nga vrasja e Gentjan Bejtjas Fushë-Kruja dhe rrethinat janë vënë në fokus të kontrolleve të policisë. Postoblloqe policie të mbështetur nga forcat speciale janë ngritur në akset që përshkojnë këtë qytet. Madje në qarkullim janë edhe disa grupe të lëvizshme të shqiponjave dhe FNSH të cilët patrullojnë në të gjitha rruget dytësore dhe rurale duke bërë kontrolle të befasishme në mjete të dyshimta.

Ora 16:53
Zbardhja e vrasjes së Gentian Bejtjas në Fushë Krujë, Balla: Pres rezultate edhe për ngjarjet në Vlorë, Lezhë dhe Shkodër

1710950450_fushekruje.JPG

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla reagoi sot për arrestimin e dy prej autorëve të përfshirë në ekzekutimin e 43-vjeçarit Gentian Bejtja në Fushë-Krujë.

"Detyra e Policisë së Shtetit është të parandalojë ose të zbardhë çdo ngjarje kriminale dhe të vendosë para drejtësisë fajtorët. Sapo kam përgëzuar drejtuesit e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë për punën e deritanishme hetimore në drejtim të zbardhjes së ngjarjes kriminale disa ditë më parë në Fushë-Krujë.

Pres gjithashtu rezultate edhe në drejtim të identifikimit të autorëve të ngjarjeve në Vlorë, Lezhë dhe Shkodër. Autorët apo porositësit e ngjarjeve kriminale mund të fshihen për një kohë, brenda dhe jashtë vendit, mund të tentojnë t’i shmangen ekstradimeve, por detyra e Policisë së Shtetit është t’i gjejë kudo që fshihen dhe t’i vendosë para drejtësisë. Për këtë qëllim duhet punë e pandërprerë hetimore dhe bashkëpunim me agjencitë partnere dhe me qytetarët, informacionet e të cilëve janë shumë të vlefshme. Dy persona të kërkuar nga drejtësia janë ndaluar/ekstraduar gjatë 24 orëve të fundit", njofton Balla.

 

Ora 12:18
Vrasja e Gentian Bejtjas, të arrestuarit 'kyçin' gojën para hetuesve! Pas ekzkutimit, makinën e lanë në lavazh

1710930460_ssadas.jpg

Ilir Beqaraj dhe Edison Haxhiu

Asnjëri prej të arrestuarve nga policia për vrasjen e Gentian Bejtjas në Fushë Krujë nuk është treguar bashkëpunues me hetuesit. Burime për gazetarin e Report Tv Sokol Dema, bëjnë me dije se ata nuk kanë pranuar të japin detaje të personave të tjerë të përfshirë.

Të njëjtat burime bëjnë me dije se makina metë cilën janë larguar autorët nga Fushë Kruja pasi është identifikuar nga kamerat e sigurisë është gjurmuar nga hetuesit në afërsi të zonës së Lundrës në një lavazh. Pronari i saj Edison Haxhiu e kishte dërguar për t’u larë, por në këtë moment është arrestuar nga policia.

Ora 11:38
Ekzekutimi i Gentian Bejtjas, një prej të arrestuarve kushëriri i Ylli Brahimit, krahut të djathtë të Ervis Martinajt

Ilir Brahimi, i dyshuar njëri prej 4 atentatorëve të Gentjan Bejtjaj në Larushk të Fushë Krujës rezulton të jetë kushëri i Ylli Brahimit, që i shpëtoi 2 atentateve në vitet 2021 dhe 2022, në Milot, emër që lidhet direkt me të zhdukurin Ervis Martinaj, fati i të cilit është mbuluar me mister prej gati 20 muajsh.

Kjo lidhje shton dyshimet për hetuesit që pas ngjarjes së rëndë të fshihen njerëz të Ervis Martinajt, përfshirë këtu edhe një rrëfim që vetë babai i Gentjan Bejtjas ka bërë në media.

Gani Bejtja foli për një takim mes djalit të tij dhe Martinajt rreth 1 vit e gjysmë para zhdukjes. Në atë kohë, Ervis Martinaj kishte dyshime se Bejtja ishte një prej ekzekutorëve të Paulin Gjergjit dhe Bujar Likës në Fushë-Kuqe në maj 2020, por pas takimit janë sqaruar me pretendimet se Martinaj ishte bindur që Bejtja nuk ka lidhje me ngjarjen pasi autorët ishin të dobët ndërsa Gentjan Bejtja i mbushur dhe gati 120 kg.

Pas kësaj ngjarje dyshohet se Bejtja lidhi marrëdhënie miqësore me të zhdukurin Martinaj, por në media është përfolur për një tradhti dhe pjesëmarrje të mundshme të 43-vjeçarit në eliminimin e Brilat Martinajt në korrik 2022, ku vdiqën edhe Diklen Vata Besmir Hoxha.

Gani Bejtja thotë se nuk është e vërtet pasi atë ditë Gentjani ka qenë në Shëngjin dhe asnjëherë nuk është pyetur si person i dyshuar. Por, në atë kohë hetuesit dyshonin se Bejtja mund të ishte përfshirë në ngjarje si informator, dyshime që nuk u vërtetuan zyrtarisht asnjëherë, por që nuk përjashtojnë mundësinë që 43-vjeçari të jetë eliminuar për këtë shkak.

Gentjan Bejtja ka qenë në fokus të policisë në shumë ngjarje kriminale, ndërsa në pyetje u mor edhe për vrasjen e Iljaz Çalit. Përveç grupit të Ervis Martinajt, hetuesit nuk përjashtojnë edhe pistën e përfshirjes së Bamëve të Niklës.

Atentatet ndaj Ylli Brahimit

Më 14 janar 2021, Ylli Brahimi i ka shpëtuar një atentati në qendër të Milotit. Ai ka qenë duke ecur i shoqëruar nga dy persona, kur 2 persona me motor qëllojnë me armë në drejtim të tij. Ylli Brahimi mbeti i plagosur nga ky atentat.

Më 22 korrik 2022, Ylli Brahimi i shpëtoi sërish një atentati, por u vra Klisman Preçi. Të dy po ktheheshin në shtëpi me makinë të blinduar, kur u qëlluan me breshëri kallashnikovi.

1710931888_cccc.PNG

Ylli Brahimi, Ervis Martinaj dhe Ilir Beqaraj allias Brahimi
Ora 11:34
Report Tv siguron foton, ja Golfi i zi pa targa me të cilin u larguan ekzekutorët e Gentian Bejtjas nga Fushë Kruja

1710931698_reporti.jpg

Ekzekutorët e Gentian Bejtjas, pasi dogjën makinën e krimit, dyshohet se u larguan nga Fushë Kruja me një mjet Golf të zi pa targa në pjesën e pasme. Report Tv ka siguruar foton e mjetit me të cilin u larguan autorët.

Ai është filmuar nga kamerat e sigurisë dhe çoi në arrestimin e dy personave. Një prej tyre edhe pronari i makinës, Edison Haxhiu, i cili dyshohet se u ka vënë autorëve mjetin në dispozicion për t’u larguar.

Ora 11:26
Report Tv siguron fotot, ja kush janë dy të arrestuarit për vrasjen e Gentian Bejtjas

1710930460_ssadas.jpg

Ilir Beqaraj dhe Edison Haxhiu

Report Tv ka siguruar fotot e dy të arrestuarve për vrasjen e Gentian Bejtjas. Bëhet fjalë për 30 vjeçarin Edison Haxhiu dhe 41-vjeçarin me tre emra, Ilir Beqaraj allias, Brahimi, allias Mançellari.

Report Tv ka mësuar se të dy rezultojnë të dënuar më parë për vepra të tjera kriminale.

Beqaraj dhe Haxhiu dyshohet se i përkasin një grupi kriminal me aktivitet në Fushë Krujë dhe zonën rreth e rrotull.

Ora 11:04
Pistoletë me mbishkrimin ‘Valter’ , u dha me lejen e policise! Çfarë u gjet në banesën e një prej ekzekutorëve të Gentian Bejtjas

41-vjeçari me tre emra, Ilir Beqaraj allias, Brahimi, allias Mançellari është arrestuar nga Policia, pasi dyshohet se është një prej autorëve të ekzekutimit të Gentian Bejtjas. Policia njofton se pas kontrollit të ushtruar në banesën e tij ka gjetur një armë zjarri pistoletë me mbishkrimin VALTER me tetë fishekë, një armë zjarri e markës BENELLI e cila mbahej me lejen e organeve të policisë, një brez me njëzet e nëntë fishekë arme zjarri.

Po ashtu janë gjetur pesë pajisje si ato të radiove marrëse-dhënëse me mbishkrimin MIDLAND XT70, një pasaportë e Republikës të Kosovës në emër të shtetasit Kosovar B. A., e dyshuar e falsifikuar pasi fotografia është e ngjashme me fotografinë e shtetasit I. B., një kartë identiteti e Republikës të Kosovës në emër të shtetasit Kosovar B. A., e dyshuar e falsifikuar pasi fotografia është e ngjashme me fotografinë e shtetasit I. B., dy aparate celular të markës IPONE dhe një aparat celular i markës SAMSUNG.

Ora 10:29
Dalin EMRAT, kush janë dy personat e arrestuar për vrasjen e Gentain Bejtjas! Njëri me tre emra

1710518228_gentian11.jpg

Report Tv ka mësuar se kush janë dy prej personave të arrestuar nga policia për vrasjen e Gentian Bejtjas në Fushë Krujë.

Mësohet se në pranga kanë rënë Edison Haxhiu nga Miloti 41-vjeçari me tre emra, Ilir Beqaraj (Brahimi, Mançellari).

Njoftimi i plotë i policisë

Siç kemi njoftuar më parë, më datë 15.03.2024 është vrarë me armë zjarri, brenda rrethimit të banesës së tij, shtetasi Gentjan Bejtja. Për hetimin e kësaj ngjarje të rëndë kriminale, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ka ngritur një grup të posaçëm hetimor, i cili në drejtimin e Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka kryer dhe vazhdon të kryejë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, me iniciativë apo të urdhëruara nga Prokurori.

Nga tërësia e veprimeve hetimore ka rezultuar se autorët janë afruar tek banesa e shtetasit Gentjan Bejtja me automjetin e markës "Land Rover Discover" me ngjyrë të zezë dhe pas kryerjes të vrasjes po me këtë automjet janë larguar në aksin rrugor Larushkë - Thumanë, pas kalimit të mbikalimit të Fushë Krujës, janë kthyer majtas dhe në fshatin Hasan kanë djegur automjetin e mësipërm.

Nga kryerja e veprimeve hetimore është vërtetuar se autorët janë larguar me një automjet tip "Golf" me ngjyrë të zezë, pa targë në pjesën e pasme, duke ndjekur intererarin nga vendi i djegies së automjetit në drejtim të rrugës kryesore Thumanë-Fushë Krujë, kanë devijuar djathtas në mbikalimin e Fushë Krujës dhe janë larguar në drejtim të fshatit Bubq, Krujë.

Nga analiza e informacioneve të marra nga inteligjenca policore si dhe këqyrja dhe marrja e kamerave të sigurisë, është bërë i mundur identifikimi i automjetit tip "Golf" me targë AB960GG, në pronësi të shtetasit E. H., lindur në Milot, Kurbin dhe banues në Tiranë. 

Po kështu ka rezultuar se ky automjet është përdorur edhe nga shtetasi I. B., alias I. B., alias I. M., lindur në Milot, Kurbin dhe banues në Tiranë. Më datë 19.03.2024, strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë bënë të mundur gjetjen dhe sekuestrimin e automjetit tip Golf me ngjyrë të zezë me targë AB960GG në pronësi të shtetasit E. H. dhe shoqërimin në ambientet e policisë. Në vazhdim të veprimeve hetimore u bë e mundur gjetja dhe shoqërimi në ambientet e policisë edhe të shtetasit I. B., alias I. B., alias I. M.

Gjatë kontrollit të banesës së shtetasit I. B., u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri pistoletë me mbishkrimin VALTER me tetë fishekë, një armë zjarri e markës BENELLI e cila mbahej me lejen e organeve të policisë, një brez me njëzet e nëntë fishekë arme zjarri, pesë pajisje si ato të radiove marrëse-dhënëse me mbishkrimin MIDLAND XT70, një pasaportë e Republikës të Kosovës në emër të shtetasit Kosovar B. A., e dyshuar e falsifikuar pasi fotografia është e ngjashme me fotografinë e shtetasit I. B., një kartë identiteti e Republikës të Kosovës në emër të shtetasit Kosovar B. A., e dyshuar e falsifikuar pasi fotografia është e ngjashme me fotografinë e shtetasit I. B., dy aparate celular të markës IPONE dhe një aparat celular i markës SAMSUNG. 

Të gjitha provat e administruara i janë nënshtruar ekzaminimeve kriminalistike dhe janë siguaruar elemente provash me prespektivë për hetimin e mëtejshëm të ngjarjes. Në përfundim u arrestua në flagrancë shetasi I. B., alias I. B., alias I. M., i datëlindjes 21.04.1983, lindur në Milot, Kurbin dhe banues në Tiranë, për veprat penale “Mbajta pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Falsifikimit të dokumenteve”, parashikuara nga nenet 278/2 dhe 186 të Kodit Penal. 

Po kështu ky shtetas është i dyshuar si një nga autorët e vrasjes së shtetasit Gentjan Bejtja. U ndalua shetatsi E. H., i datëlindjes 30.07.1994, lindur në Milot, Kurbin dhe banues në Tiranë, për kryerjen e veprës penale, “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”, parashikuar nga neni 80 i Kodit Penal.

Grupi i posaçëm hetimor në drejtimin e Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë vazhdon me intesitet punën për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarje të rëndë kriminale, identifikimin dhe vënien para përgjegjsisë ligjore edhe të autorëve të tjerë. Për ecurinë e hetimit do të informojmë median dhe publikun në vazhdimësi.

SI.E./E.B/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Kur kthimi në Shqipëri për të investuar, përfundon në zhgënjim

Kur kthimi në Shqipëri për të investuar, përfundon në zhgënjim