Përpara se të qëllohej për vdekje me armë në sallën e gjyqit, gjyqtari i Apelit, Astrit Kalaja, ka shkëmbyer fjalë me Gjon Shkambin, palën e pakënaqur me vendimin që sapo shpalli.
“Po vërtetoj ato që ka thënë e gjithë Shkodra për ty, që ti je...”, ishin fjalët me të cilat iu drejtua 56-vjeçari, ndërsa gjyqtari është përgjigjur shkurt: "Vazhdo ti vazhdo".
Kaq ka mjaftuar, që nipi që shoqëronte xhaxhanë në gjyq, Elvis Shkambi, të nxirrte armën nga brezi e të qëllonte drejt magjistratit. Kjo dinamikë është zbardhur nga Prokuroria e Tiranës përmes analizimit të kamerave të sigurisë brenda sallës numër 3 ku u zhvillua seanca gjyqësore më 6 tetor.
30-vjeçari qëllon me një plumb të vetëm edhe ndaj palës kundërshtare, babë e bir, familjarët që jetojnë në pronën e pretenduar nga xhaxhai i tij, Ragip dhe Ervis Kurtaj, duke i plagosur në tentativën e tyre për të dalë nga salla.
Pistoleta të cilën menjëherë pas krimit Shkambi ia dorëzoi rojës së gjykatës, u sekuestrua me fishek në folenë e saj gati për qitje dhe në krehër ishin dhe dy fishek të tjerë të vendosur. Pistoletën ka deklaruar se e dispononte prej 10 vitesh, ka qenë edhe në seanca të tjera me të në brez, por kjo është hera e parë me të cilën ka bërë qitje.
Sipas një pjese nga vendimi i masës së sigurisë të cilin Report Tv e siguron, hetuesit gjetën të parkuar në parkingun e Xhamisë së Namazgjasë, automjetin e Gjon Shkambit, e brenda tij. 31 fishekë të kalibrit 9 mm, në dukje fishekë manovër.
Gjon Shkambi në dëshminë e tij, pretendon se nuk ka pasur dijeni për tragjedinë që do ndodhte. Gjon Shkambi pretendon se pasi nipi qëlloi ndaj gjyqtarit, qëndroi i shokuar në sallë, pa kryer asnjë veprim. Mban mend vetëm t’i ketë thënë Elvisit: Na fike!
“Janë duke më marrë në qafë, jam një viktimë në këtë rast, veç pa plagë ne trup”, mësohet të jetë shprehur Gjon Shkambi.
Ndërkohë Elvis Shkambi pas aktit kriminal thotë se iu afrua Kalasë teksa ishte shtrirë në dysheme - një moment që sipas tij gjyqtari ishte i vetëdijshëm.
“Iu afrova gjyqtari për ta parë dhe mbaj mend që ishte i shtrirë në dysheme, i gjallë dhe i vetëdijshëm”, citohet të ketë thënë Shkambi.
Elvis Shkambi është djali i vëllait të tij, pjesë e pronës për të cilën ishin dhe në gjyq. Të dy u lanë në burg nga Gjykata, bashkë me punonjësin e gjykatës për sigurinë, i cili lejoi futjen në sallën e gjyqit të një personi të armatosur.

Foto: Elvis Shkambi
Report Tv ka zbardhur detaje të reja në lidhje me vrasjen e gjyqtarit të apelit Astrit Kalaja teksa ishte në krye të detyrës. Në dosjen e siguruar Elvis Shkambi citohet të ketë dëshmuar se e ndjek prej 1 viti e 8 muajsh xhaxhain e tij në procese gjyqësore për pronën e pretenduar të familjes.
Ai tregon se u nisën herët nga Shkodra për gjyqin e 6 tetorit, ndaluan në Lezhë ku morën pjesë në një ngushëllim të një bashkëfshatari të tyret, pinë kafen dhe më pas u nisën drejt Tiranës.
Sipas tij e qëlloi gjyqtarin në gjendje të rënduar psikologjike duke pretenduar se u trondit nga vendimi i marrë. Elvis Shkambi gjithashtu pretendon se ndjeu urrejtje për këtë padrejtësi.
Pas aktit kriminal ai thotë se iu afrua teksa ishte shtrirë në dysheme- një moment që sipas tij gjyqtari ishte i vetëdijshëm.
“Iu afrova gjyqtarit për ta parë dhe mbaj mend që ishte i shtrirë në dysheme, i gjallë dhe i vetëdijshëm”, citohet të ketë dëshmuar Shkambi.
Sa i përket të shtënat ndaj palës kundërshtare, ai pretendon se janë plumba të pavullnetshëm drejt derës së sallës, pasi ndaj tyre nuk kishte asnjë problem.

Foto: Elvis Shkambi
Detaje të tjera janë zbardhur nga vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja në sallën e gjyqit. Nga dosja e siguruar nga Report Tv sekretarja e gjykatës ka dëshmuar se, pasi Astrit Kalaja shpalli vendimin, palët po largoheshin nga salla, përveç Elvis Shkambit.
Sipas saj ai iu afrua podiumit të magjistratit dhe e qëlloi një herë me armë teksa gjyqtari tentonte të shkonte drejt dhomës së këshillimit.
"U ngrita në këmbë dhe vendosa duart në kraharor" citohet të ketë deklaruar ajo teksa autori i është drejtuar se nuk ka gjë më të.
Më tej sekretarja tregon se autori nisi të qëllojë sërish ndaj gjyqtarit.

Foto: Elvis dhe Gjon Shkambi
Gjon Shkambi pretendon se pasi nipi qëlloi ndaj gjyqtarit Astrit Kalaja, qëndroi i shokuar në sallë, pa kryer asnjë veprim. Në dosjen e siguruar nga Report Tv, thuhet se Gjon Shkambi ka deklaruar se pas vrasjes së gjyqtarit, mban mend vetëm t’i ketë thënë Elvisit: Na fike!
“Janë duke më marrë në qafë, jam një viktimë në këtë rast, veç pa plagë në trup”, mësohet të jetë shprehur Gjon Shkambi.
Sipas dëshmisë së rojës së gjykatës, Gjon Shkambi ka tentuar të dalë nga dera kryesore pas vrasjes, por një nga pala e plagosur i ka thënë ta kapin atë person pasi është me autorin. Roja tregon se e neutralizoi 56-vjeçarin dhe e futi në ambientet e brendshme të gjykatës për të mos u larguar.
Ndërkohë në një tjetër dëshmi të nipit të Gjon Shkambit pretendohet e kundërta. Sipas dosjes që Report Tv e siguron, Elvisi i dha çelësat e makinës xhaxhait dhe i tha të largohet se ai nuk kishte punë me këtë histori, por ai qëndroi në oborrin e gjykatës.
Komente





